E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurimet jashtë vendit, Greqia vështirëson procedurat e vizave



Greqia vështirëson procedurat e vizave për kurimin e pacientëve në spitalet e këtij shteti. Në bazë të marrëveshjes me Greqinë,shteti grek duhet të presë rreth 30 pacientë në vit. Mirëpo procedurat për kurim në shtetin grek zgjasin me muaj të tërë, që do të thotë se pacientëve në gjendje të rëndë nuk u premton koha. Ndërkohë, Turqia ka mbyllur procedurat për kurimin e pacientëve në spitalet e saj për këtë vit. Shkak është bërë plotësimi i kuotave të pranimit të vendosura nga pala turke dhe për më tepër këtë vit nuk ka pasur shtesa mbi normën e lejuar. Duke nisur që nga fillimi i muajit tetor, asnjë pacient shqiptar nuk ka të drejtë të kurohet në spitalet turke, sipas marrëveshjes së bërë mes dy vendeve, sepse numri i pacientëve që duhet të shkonin është plotësuar. Aktualisht, vend për pranime ka vetëm Greqia, por pacientët e kanë të vështirë të kurohen në spitalet greke pasi pengohen nga zgjatja e procedurave për marrjen e vizave. Kërkesat që janë drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë mbeten të shqyrtohen vitin e ardhshëm, duke plotësuar kuotat që do të jenë për vitin 2009. Të gjithë pacientëve, që e kanë të nevojshëm kurimin jashtë vendit, do t’iu duhet të rezistojnë për disa muaj për t’u kuruar. Por kërkesat për t’u kuruar jashtë vendit janë më të mëdha sesa mundësitë që ka Ministria e Shëndetësisë për të përballuar fluksin e kërkesave që shkojnë çdo ditë në ministri. Pacientët janë të detyruar që ta zgjidhin në mënyrë individuale çështjen e kurimit në një nga spitalet e huaja. Kjo kategori është e detyruar që të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të gjejë vetë spitalin ku do të kurohet. Çdo vit, Ministria e Shëndetësisë turke me palën shqiptare kanë shtuar numrin e pacientëve që do të kurohen në këtë shtet.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›