QSUT, mbi 100 operacione në ditë me shpenzimet e pacientëve
Emanuela Sako
Në QSUT kryhen mbi 100 operacione në ditë, të cilat mbulohen drejtpërdrejt nga qytetarët. Janë vetë pacientët që marrin përsipër të paguajnë për kryerjen e operacioneve, pasi në spitale mungojnë barnat më elementare. Sipas rregullores, një pjesë e shërbimeve për pacientët e siguruar duhet të kryhen falas, por asnjë nga kategoritë e të siguruarve nuk përfiton nga shteti. Rregullorja e Ministrisë thuhet rëndom në çdo kohë në spitalet tona dhe asnjë prej tyre nuk zbatohet nga bluzat e bardha. Në çdo shërbim spitalor mjekët vendosin për gjithçka, duke përfshirë edhe tarifat për operacionet. Njëkohësisht, janë ata që i rekomandojnë pacientët për kryerjen e vizitave në klinika private, për blerjen e barnave në një farmaci etj.
Mjekut i ngelet veçse të hyjë në sallën kirurgjikale dhe të kryejë operacionin.
Tarifa
Tarifa që duhet të paguajë një pacient për kryerjen e operacioneve varion në shuma të ndryshme. Operacionet më të paguara janë ato më të vështirat, ku futen ndërhyrjet kirurgjikale në kokë, ndërhyrjet kirugjikale në zemër, ndërhyrjet kirurgjikale në veshka apo ndërhyrjet tumoriale. Për një operacion të vështirë, shuma e paguar nga pacientët varion nga 80 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa operacionet që klasifikohen më të lehta ose më pak të rrezikshme për jetën e pacientëve paguhen deri në 60 apo 70 mijë lekë. Kjo shumë nuk përfshihet në pjesën e pagesës që do të bëhet para apo pas kryerjes së operacionit, ku pacienti është i detyruar të qëndrojë në dhomat e shtrimit për të marrë mjekimin e vazhdueshëm. Gjatë kohës së shtrimit, pacienti paguan infermierët për shërbimin e marrë çdo ditë. Kështu, tarifat e vendosura nga Drejtoria e QSUT-së për operacionet nuk njihen nga mjekët, të cilët operojnë me tarifat e vendosura në mënyrë individuale.
Situata
Megjithëse drejtuesit e spitalit nuk e pranojnë publikisht faktin
se në spitale kryhen të gjitha operacionet me para në dorë, gjithçka ndodh rëndom çdo ditë. Madje janë vetë mjekët që e pranojnë se i drejtojnë pacientët apo të afërmit e tyre për të blerë të gjitha medikamentet e nevojshme për kryerjen e operacioneve, duke i rekomanduar në ndonjë nga farmacitë pranë spitaleve. Në këtë mënyrë përfiton si mjeku, edhe farmacisti, ndërsa ai që nuk ka garanci është pacienti, ku me gjithë shpenzimet që i duhet të bëjë nuk ka garanci për jetën. Për të kryer një operacion në QSUT duhet të marrësh përsipër pagesën e një shume tepër të lartë.
Rreth 83 për qind e fëmijëve vuajnë nga kariesi dentar
Rreth 83 për qind e fëmijëve vuajnë nga kariesi dentar. Të dhënat janë bërë publike nga një studim i ASHR-së për kujdesin që tregojnë fëmijët ndaj mirëmbajtjes së gojës. Qëllimi i studimit të specialistëve të ASHR-së është vlerësimi i frekuencës së sëmundshmërisë karioze te fëmijët e moshave 6, 12 dhe 18 vjeç të qytetit të Tiranës. Në studim u përfshinë 1500 individë, 500 për çdo grupmoshë, nga 10 shkolla 9-vjeçare dhe 5 të mesme. Kariesi i dhëmbëve është vlerësuar si sëmundja kronike më e shpeshtë e moshës së fëmijërisë edhe në vendet e zhvilluara. Fushata e fluorizimit të dhëmbëve do të nisë këtë javë për 25000 nxënës të kryeqytetit, duke shënuar vitin e pestë të organizimit të saj. Shërbimi stomatologjik nëpër shkolla funksionon sipas sistemit që për çdo shkollë që ka mbi 1000 nxënës ofrohet shërbim stomatologjik falas. Aktualisht, operojnë nëpër shkollat e kryeqytetit 66 mjekë stomatologë dhe 5 ndihmësstomatologë operojnë në fshatra.
5 Dhjetor 2008