Policia serbe, operacion kërkimi në shtëpinë e djalit të Mlladiçit
Forcat e sigurisë në Serbi kanë intensifikuar kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e të akuzuarit për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, Ratko Mlladiç. Policia serbe mësohet të ketë mbërritur në shtëpinë e djalit të gjeneralit serbo-boshnjak Mlladiç në Beograd. Shefi i Policisë, Milorad Velioviç, konfirmoi lajmin për nisjen e kërkimeve në shtëpinë e Darko Mlladiçit, bëri të ditur agjencia e lajmeve serbe “B92”. Qëllimi ishte zbulimi i financuesve të dy prej shumë të kërkuarve nga Gjykata e Hagës dhe ndërprerja e burimit të financimit. Ndërkaq, agjencia tjetër serbe “Tanjug”, bëri të ditur se policia ka nisur kërkimet në pesë ndërtesa, katër prej të cilave ndodhen në kryeqytetin serb, Beograd. Në shtëpinë e djalit të gjeneralit Ratko Mlladiç kanë mbërritur dhjetëra forca policie dhe shumë gazetarë ndërkohë që për nisjen e kërkimeve është lajmëruar edhe parlamenti i Serbisë nga Partia Radikale, e cila ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aksionit policor në rast të kundërt do t’i kërkohej popullatës që të mbrojnë të drejtat e tyre.
Milloshoski: “I plotësuam kriteret për në NATO”
“Maqedonia i plotësoi kriteret për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, por do t’i bashkëngjitet kur t’i jepet mundësia”. Kështu deklaroi shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, në sesionin e 16-të të Këshillit ministror të OSBE-së, i cili u mbajt në Helsinki. Ai tha se integrimin në NATO për Maqedoninë nuk ka alternativë tjetër edhe pas Samitit të Bukureshtit. Milloshoski theksoi se Shqipëria dhe Kroacia duhet të jenë zë i fuqishëm në NATO, që edhe vendet tjera të rajonit sa më shpejt të bëhen pjesë e Aleancës. Në Samitit e fundit të NATO-s, i cili u mbajt në Bukuresht, Maqedonia nuk morri ftesë për anëtarësim, shkaku i çështjes së emrit kushtetues, i cili nuk pranohet nga Athina. Ndërkohë ministrja e Jashtme greke paralajmëron një takim të ri negociatash me Shkupin për emrin e Maqedonisë. Kryediplomatja greke, Dora Bakojanis, tha në Bruksel se takimi do të zhvillohet këtë muaj.
FRANCË
Sarkozi, plan prej 26 miliardë eurosh për ekonominë
Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, ka bërë të njohur një plan stimulues me vlerë 26 miliardë euro për të ndihmuar vendin në ballafaqimin me rënien e ekonomisë globale. Sarkozi e bëri publik planin gjatë udhëtimit në veri të Francës ku gjendet fabrika e veturave “Reno”. Të dhënat e Bashkimit Europian konfirmuan dje se ekonomia e 15 vendeve anëtare të zonës euro ka hyrë për herë të parë në recesionin tremujor.
KROACI
16 pedagogë akuzohen për korrupsion në universitete
Prokuroria kroate njoftoi se ka akuzuar 16 persona, dy prej të cilëve pedagogë në universitete, në kuadrin e një operacioni antikorrupsion të ndërmarrë në rrethet akademike në Zagreb. Shumat e marra nëpërmjet një ndërmjetësi, nga qershori deri në shtator të vitit 2008, janë 1000-1500 euro për studentë, njoftuan burimet. Një pedagog akuzohet se ka shërbyer si ndërmjetës në një rast mitmarrjeje.
PAKISTAN
Rajs kërkon masa të rrepta ndaj terrorizmit
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, u bëri thirrje autoriteteve pakistaneze që të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj terrorizmit. Ajo ndodhet në Pakistan pas vizitës që bëri në Indi për uljen e tensioneve mes dy fqinjëve pas sulmeve të Bombeit javën e kaluar. India thotë se sulmuesit ishin nga Pakistani, por Islamabadi nuk e pranon përfshirjen. Amerika kërkon nga Pakistani që të ndërmarrë veprime të vendosura ndaj grupeve militante në territorin e vet.
5 Dhjetor 2008