E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Juridikut dhe Shkencave Sociale protestuan para MASH-it



Studentët e Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale kanë protestuar ditën e djeshme para Ministrisë së Arsimit. Shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e tyre është bërë heshtja e këtij institucioni në kushtet kur studentët kanë mbi tri javë pa mësim, si pasojë e mungesës së ambienteve. Studentët kërkojnë përgjigje nga ministri dhe një zgjidhje të shpejtë të problemit. Meqenëse ndërtesa e fakultetit të tyre rrezikon të shembet, studentët kërkojnë ambiente për zhvillimin normal të mësimit. Studentët bëjnë të ditur se ata nuk do të kthehen në mësim të martën, sepse nuk mund të bëjnë mësim në ato ambiente. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, studentët e këtyre dy fakulteteve do ta vazhdojnë mësimin në tri godina të tjera: në kinoklubin e Qytetit Studenti, në shkollën “Petro Nini Luarasi” dhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Por, megjithëse rektori i UT-së ka paraqitur zgjidhjen e problemit, ai nuk ka bërë të ditur se kur do të nisë mësimi në këto tre ambiente. Gjithashtu, kreu i Universitetit të Tiranës i ka kërkuar qeverisë krijimin e kampusit universitar të premtuar. Sipas tij, projektet për ndërtimin e tij kanë filluar. Fusha e sportit e Qytetit Studenti do të jetë vendi ku do të ndërtohet kampusi universitar, i cili do të bashkojë të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës. Kjo është një projektide e hartuar nga drejtuesit e UT-së. Sipas projektidesë së UT-së, në kampusin që do të ndërtohet do të sistemohen gjashtë fakultet e tij, përveç Fakultetit të Infermierisë dhe të Mjekësisë, pasi vendndodhjet e tyre aktuale janë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Komisioni Europian sjell dy projekte për zhvillimin e arsimit

Dy projekte të Komisionit Europian në Shqipëri do të mbështesin reformimin e arsimit dhe formimit profesional. Zhvillimi i Arsimit Profesional po mbështetet nga Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri, në kuadër të programit CARDS përmes dy projekteve që synojnë reformimin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP). Bëhet fjalë për projektin “Mbështetje për AFP-në në Shqipëri”, i cili pilotohet prej tre vitesh në shkollat profesionale dhe qendrat e formimit në pesë rrethet më të rëndësishme të vendit dhe që zbatohet në partneritet me kompaninë GOPA. Ndërsa projekti i “Binjakëzimit të Agjencisë dhe Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional” po realizohet me një kompani gjermane, me një fond mbi 900 mijë euro për një periudhë 1,5-vjeçare dhe konkretisht me Institutin Federal të AFP-së, një institut shtetëror në varësi të Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Teknologjisë. Ky projekt ka si qëllim kryesor forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në tërësi reformimin e AFP-së. Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe e Formimit Profesional, një institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka si qëllim kryesor krijimin e një sistemi kombëtar dhe unik të kualifikimeve profesionale, të njohur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që u mundëson pjesëmarrësve të fitojnë aftësitë për të përballur sfidat e zhvillimit social-ekonomik të vendit. Sot, në 22 rrethe të vendit funksionojnë 40 shkolla publike të arsimit teknik dhe profesional dhe 6 private të ndara në 4 fusha kryesore: në atë elektromekanike, ekonomike, ndërtim - mobilieri, bujqësi, pyje dhe veterinari në 35 specialitete kryesore.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›