“Brukseli do çojë përpara propozimin legjislativ”

PE-ja diskuton të martën për vizat, Eurodeputetët garantojnë
Parlamenti Evropian do të diskutojë të martën rreth progresit që dy vendet e prapambetura Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë për çështjen e liberalizimit të vizave. Mediat në Bruksel theksojnë se më 27 prill komiteti për të drejtat civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme në Parlamentin Evropian do të diskutojë ecurinë e Shqipërisë. Vlerësimi do të bëhet në bazë të raportit të përgatitur nga grupi i eksperteve të Parlamentit Evropian, të cilët ishin të pranishëm në Shqipëri muajin e kaluar.
Sipas raportit të Komisionit Evropian për vizat, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë bërë progres, janë të këshilluara të punojnë fort në këtë drejtim.
Komisioni Evropian, konsideron si të domosdoshme përpjekjet e mëtejshme për forcimin e shtetit ligjor dhe zbatimin me eficencë të kornizës ligjore në lidhje me luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë një vlerësim pozitiv javën e ardhshme, pas konstatimit të epërsisë së realizimit të kritereve kundrejt Bosnjës. Premtimi i zyrtarëve të lartë të Brukselit është që Shqipëria të firmosë vendimin me KE-në përpara pushimeve të verës së këtij viti, në mënyrë që të bëhet i mundur certifikimi për në “Schengen”, në muajt e parë të vjeshtës.