Kryeministri Sali Berisha, sot në fillimin e punimeve të autostradës Morinë-Merdare
Pjesë e boshtit të kombit, Tiranë-Prishtinë Dita e sotme do të mbahet mend gjatë në mendjet e shqiptarëve të Kosovës, pasi Rruga e Kombit do të marrë udhë dhe do të kalojë kufijtë duke bashkuar shqiptarët në të dy krahët. Tashmë është realitet. Projekti më i madh infrastrukturor ai i autostradës Morinë- Merdare, do të inaugurohet sot nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai shqiptar, Sali Berisha. Punimet do të përfshijnë dy segmente të autostradës nga Vermica deri ne Duhël, të cilat pritet të përfundojnë për një vit. Segmentet e tjera që pritet të ndërtohen deri në Besi të Prishtinës, synohet të përmbyllen gjatë dy viteve në vijim. Vetë Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, tha se kur u nënshkrua kontrata me kompaninë “Bektel Enka”, ajo që kreu edhe punimet në autostradën Rrëshen - Kalimash, kjo kontratë do të përcillet me vlerësime në çdo segment. Vlera e autostradës kap një shumë prej më shumë se 700 milion eurosh. çmimi për çdo kilometër përllogaritet të kapë një shumë prej 7.5 milionë euro, ndërsa me ndryshimin e trasesë në pjesën mes Suharekës dhe Duhlës, me qëllim të evitimit të tuneleve, do të kursehen mbi 400 milionë euro. I gjithë financimi i projektit fillimisht do të bëhet nga buxheti i Kosovës, por kompania fituese “Bektel Enka” i ka rekomanduar qeverisë, Korporatën Amerikane të Investimeve dhe Dojçe Bankën, si dy institucionet financiare ku mund të kërkohen kredi. Tashmë nga arka e shtetit dihet se janë ndarë 50 milionë euro dhe 20 milionë të tjera janë ndarë për shpronësim. Për t’u ndërtuar e tërë autostrada, llogaritet se do të punësohen 6000 punëtorë, nga të cilët 4000 do të jenë kosovarë. Autostrada do të ketë një gjatësi prej 140 kilometrash. Ajo do të ketë një gjatësi prej 28 metrash dhe është menduar që të ketë edhe ndriçim.
...