E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia dhe Estonia, ‘pro’ liberalizimit të vizave Shqipëri-BE

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta merr garancinë në Talin të homologëve të tij

Dy vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Greqia dhe Estonia, kanë shprehur qëndrimin e tyre ‘pro’ liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Kjo i është komunikuar Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë punimeve të Ministerialit të NATO-s në Estoni.
Shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi atje takime të veçanta me ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë Dimitris P. Droutsas dhe atë të Estonisë, Urmas Paet.
Gjatë takimeve është diskutuar mbi bashkëpunimin dypalësh, situatën në rajon dhe veçanërisht mbi procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin në mbështetjen që Greqia, por edhe Estonia japin për integrimin e Shqipërisë në BE si dhe për liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë.
Ministri i Jashtëm grek, Droutsas tha se Greqia vë theksin në procesin e integrimit evropian për të gjithë fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor, dhe në këtë kontekst, Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm për ne.
“Kemi diskutuar pikërisht për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, të cilin Greqia e mbështet plotësisht. Mendoj se hapi tjetër shumë i rëndësishëm në këtë proces është liberalizimi i vizave për Shqipërinë. Ne e kemi thënë tashmë që qytetarët shqiptarë do të jenë përfituesit e parë nga ky proces integrues dhe në këtë kuadër ju do të shihni se Greqia e mbështet këtë proces dhe shpreh bindjen se do të bashkëpunojmë ngushtë”, u shpreh ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Dimitris P. Droutsas.
Nga ana e tij, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi mbështetjen e Greqisë në proceset integruese të vendit tonë, ndërsa theksoi se
për hir të marrëdhënieve tradicionale mes nesh, Greqia dhe Shqipëria mund të bëjnë shumë në shërbim të forcimit të stabilitetit të të gjithë rajonit, gjë që është themelore për stabilitetin jo vetëm të vendeve tona por për të gjithë kontinentin.
“Kjo është edhe arsyeja pse ne e kemi përshëndetur nismën e Presidencës greke për Axhendën e vitit 2014 për integrimin evropian të rajonit, e cila është tepër simbolike dhe do t’i japë në shtysë të re reformave si dhe paqes e stabilitetit në të gjithë rajonin”, tha Meta.
‘Pro’ liberalizimit të vizave Shqipëri-BE është shprehur edhe Estonia. Ministri i saj i Jashtëm, Urmas Paet i shprehu Metës mbështetjen e vendit të tij, për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë, duke e konsideruar këtë si një hap logjik në procesin e saj integrues.
“Ne jemi të gatshëm dhe të hapur ta ndihmojmë dhe mbështesim Shqipërinë sa më shumë që të jetë e nevojshme në rrugën e saj drejt BE-së. Ne e dimë nga vetë eksperienca jonë se sa e rëndësishme është të kesh lirinë e vizave me vendet e tjera të BE-së. Dhe për këtë arsye, për ne është e qartë se qytetarët shqiptarë duhet të udhëtojnë të lirë pa viza drejt BE-së, sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që kjo të ndodhë në një të ardhme sa më të afërt sepse është e natyrshme që nuk duhet të ketë barriera vizash brenda Evropës”, u shpreh ministri i Jashtëm, estonez, Urmas Paet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›