Thirrja e Berishës për debat televiziv, Edi Rama fshihet pas alibisë së kutive

Kryesocialisti Edi Rama nuk ka dhënë dje një përgjigje pozitive për thirrjen publike të kryeministrit të vendit Sali Berisha, për një debat të moderuar televiziv. Këtë herë, Rama është fshehur pas kutive të votimit, duke e vënë si kusht, pavarësisht se absurd, pranimin e përballjes mediatike, por vetëm pas hapjes së kutive.
Kryesocialisti në detyrë, si gjithmonë, edhe këtë radhë ka improvizuar një “ngërç”, që sipas tij e kushtëzon të dalë në përballje të drejtpërdrejtë mediatike me kryeministrin e vendit dhe kundërshtarin direkt politik të tij... Kësisoj, Edi Rama faktoi edhe njëherë përballë opinionit publik dhe socialistëve të thjeshtë se nuk është në gjendje dhe nuk ka as pikëpamjen e duhur politike për t’i përfaqësuar ata dhe për më tepër për të sfiduar drejtpërdrejt kundërshtarin politik.
Nga kjo, lindin të tjera kllapa të politikës së paqëndrueshme të Edi Ramës. Frika e përballjes mediatike influencon frikën e pakursyeshme të Ramës, për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe përgjegjës për faturimin e këtij skarciteti politik, është përsëri kryetari i PD-së dhe kryeministri i vendit Sali Berisha.
Siç edhe ka bërë vazhdimisht, Edi Rama, vazhdon të ketë fobi nga prania e kundërshtarit politik në një studio të përbashkët, pasi gjatë gjithë karrierës së tij politike, ka marrë pjesë në emisione të drejtuara nga moderatorë të kontrolluar prej tij, ose me panel të selektuar, çka do të thotë diktimin e debatit dhe përzgjedhjen e diskutantëve. Në këto kushte, Edi Rama ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi bazën e tolerimit dhe ‘dhunës’ ndaj moderatorëve mediatik, të cilët kanë qenë të detyruar, të ndërtojnë profilin politik të një jo politikani. Kreu i qeverisë Sali Berisha ftoi Edi Ramën këtë fundjavë, gjatë fjalës së tij në një forum për Mediat për një përballje mediatike dhe lënien mënjanë të deklarimeve dhe publikimeve tendencioze me prapavijë të qartë politike. Përkundrejt kësaj ftese të kryeministrit të vendit, Edi Rama mendoi minutë pas minute të largohej nga paneli i diskutimit ndërsa në momentin kur të gjithë prisnin një përgjigje nga ai, vendosi të largohej nga salla...
Kjo sjelle e kryesocialistit të papjekur politikisht, ka një zanafillë fare të qartë, tmerrin ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejtë politik.