“Viti 2010, viti i lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë”
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu takon në Kosovë kryeministrin Thaçi dhe homologun e saj, Beqaj
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu zhvilloi me ftesë të ministrit të integrimit evropian të Kosovës, Besim Beqaj, një vizite një ditore ne Prishtine, ku u takua me zyrtarët më të lartë të shtetit. Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Majlinda Bregu, e garantoi atë për mbështetje maksimale për proceset që tashmë kanë marrë udhë në Kosovë.
Ministrja u shpreh se Shqipëria vlerëson progresin e dukshëm që ka bërë Republika e Kosovës, që nga shpallja si shtet i pavarur, në ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare, si dhe pjekurinë e jashtëzakonshme të të gjithë qytetarëve për të përballuar sfidat e kohës, duke dëshmuar para gjithë botës, se janë të denjë për të qenë anëtarë të familjes të kombeve të lira dhe të qytetëruara.
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, kryeministri Thaçi theksoi se Kosova eshte në pritje të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe është duke bërë përpjekjet maksimale për krijimin e regjistrit civil dhe prodhimin e pasaportave biometrike.
Ministrja Bregu theksoi se Shqipëria është e vendosur të japë mbështetjen e saj maksimale për proceset që tashmë kanë marrë udhë në Kosovë, me qëllim ndërtimin e një shteti të lire, të pavarur, demokratik e plotësisht funksional, që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe pakicave, një shteti të ri të orientuar drejt integrimeve rajonale dhe euroatlantike.
Kryeministri Thaçi e informoi ministren Bregu për fillimin e punimeve Morinë - Merdarë, si vazhdimi i rrugës së kombit Durrës - Kukës- Morinë, një vit pas inaugurimit të tunelit që lidh dy vendet. Ministrja Bregu përshëndeti fillimin e punimeve të autostradës Morinë-Merdarë duke theksuar se kjo rrugë do t’i shërbejë intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh, afrimit të Kosovës me Shqipërinë, vende të cilat kanë qenë dhe do të jenë modeli i fqinjësisë së mirë në rajon.
Më tej, ministrja Bregu pati një takim me homologun e saj, Besim Beqaj, me të cilin nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të gjitha çështjet që përfshin procesi i integrimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të zhvilluar pas takimit, dy ministrat e integrimit theksuan se ky memorandum bashkëpunimi, në vijim të 60 memorandumeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës deri më tani, nxit zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e Integrimit Evropian. Ky bashkëpunim konsiston në angazhim të dyanshëm dhe do të përqendrohet kryesisht në përkthimin e Acquis Communautaire, përafrimin e legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, koordinimin e asistencës së jashtme dhe çështje të tjera.
Në përgjigje të pyetjes a do të përfundojë procesi i liberalizimit të vizave në Shqipëri brenda vitit 2010, ministrja tha se është tashmë e sigurt që vendimi për liberalizimin e vizave do të merret brenda muajit qershor.