E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i qeverisë më 30 prill, naivitet i turpshëm

Servet Pëllumbi, një prej figurave të njohura të socialistëve, hedh kritika të ashpra ndaj Edi Ramës


Një prej personaliteteve më të rëndësishme të së majtës shqiptare, Servet Pëllumbi kritikon mesazhet kryesore që jep për momentin lideri i Partisë Socialiste Edi Rama. Sipas Pëllumbit, deklaratat e bëra në media nga deputetë të opozitës se më 30 prill merr fund qeveria, janë naivitete të turpshme, duke komentuar se mosbindja civile ka precedentë të dhunshëm. “Mosbindja qytetare para dy vjetësh në Francë brenda një nate dogji 20 mijë makina, siç kam dëgjuar unë në TV ndonjë politikan të së majtës fatkeqësisht që thotë se në 30 prill merr fund qeveria, në 30 prill merr fund korrupsioni, është naivitet”, u shpreh Servet Pëllumbi. Ish-kryetar i Parlamentit Servet Pëllumbi ashpërson qëndrimin e tij me kryesocialistin Edi Rama edhe në linja të ndryshme politike. Pasi e kritikoi atë për marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, dje Pëllumbi e ka akuzuar Ramën se me aksionet e dështuara, që po ndërmerr pas humbjes në zgjedhje, po e tkurr elektoratin e majtë, të cilët nuk ndihen më të përfaqësues në programin e partisë së tyre. Pëllumbi ka lënë të kuptohet se filozofia e shfaqur nga Rama në fushatën e qershorit “Përtej të majtës dhe të djathtës” po zhgënjen votuesit, që kanë votuar historikisht për Partinë Socialiste. “Ajo që është e majtë duket sikur ka turp të thotë që është e majtë. Pse? Sepse nuk i referohet atyre shtresave, kategorive të njerëzve, që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social-ekonomike. Po të jetë se partinë e ke parti në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referencë në hapësirat sociale atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Po të jetë se u drejtohesh zgjedhësve, votuesve, dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk më mbështesni”, tha Pëllumbi. Në projekt programin e ri të socialisteve ato vetëquhen një parti e qendrës së majtë dhe liberale. Ky emërtim është cilësuar i papranueshëm për shumë nga figurat e socialistëve. Aksionet politike të Ramës gjithnjë dhe më shumë po kundërshtohen jo vetëm nga rivalët e tij, por edhe nga vetë socialistët. Kështu, Pëllumbi i shtohet zërave kundër Ramës, duke u rreshtuar përkrah Mejdanit e Blushit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›