E Diel, 1 Nëntor 2026

Evazioni fiskal i kreut të G 99-ës, 300 mijë euro

Për 5.4 milionë euro të ardhura, Erion Veliaj nuk ka paguar asnjë detyrim financiar, te Tatimet, Sigurimet Shoqërore, TVSH, apo edhe taksa nga të ardhurat

Prej disa javësh, Prokuroria e Rrethit të Tiranës ka filluar procedim penal, për abuzim financiar dhe evazion fiskal ndaj Erion Veliajt, kreut të Partisë G 99. Hetimet për dosjen me nr. 3379, e vitit 2009, e procedimit penal ndaj Erion Veliajt për evazion fiskal për shumën rreth 5.4 milionë euro, që po hetohet nga Njësia e Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionin, janë në fazën e marrjes së dëshmisë dhe sqarimeve nga Altin Goxhaj, denoncuesi i këtij abuzimi, njëherazi, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ish-drejtuesit të Lëvizjes qytetare “Zgjohu”.
Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, bëjnë të ditur se ditën e hënë mbyllet marrja e dëshmisë së Altin Goxhajt, dhe se pas këtij veprimi, objekt i pyetjes së tyre, do të jetë Erion Veliaj, si edhe verifikimi i aktivitetit dhe transaksionit të tij financiar.
Avokati Altin Goxhaj ka bërë të ditur se në dëshminë e tij të fundit në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, “objekt i saj do të jetë paraqitja e pretendimeve me shkrim në prokurori të dëshmisë së tij për evazionin fiskal të Erion Veliajt”.
Gjithashtu, avokati Altin Goxhaj, bënë të ditur se, “të hënën do të prezantojë edhe një video nëpërmjet së cilës do të tregojë një pjesë të provave materiale që vërtetojnë pretendimet në dëshminë e tij”.
Burime nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, bëjnë të ditur se dosja e cila është regjistruar që në muajin qershor të vitit 2009, tashmë ndodhet në duart e prokurorit Julian Zonja.
Abuzimet financiare dhe evazioni fiskal për të cilat akuzohet Erion Veliaj, mësohet se janë akuza që i përkasin periudhës kur ai drejtonte Fondacionin “Majft” i shndërruar më pas në Lëvizja “Mjaft”.
Sipas denoncimit, të bërë publik nga Altin Goxha, që në muajin qershor të vitit 2009 dhe që tashmë është edhe objekt hetimi nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, mësohet se gjatë kohës që Erion Veliaj ka drejtuar Lëvizjen “Mjaft” (ish-Fonacionin “Mjaft”), për shumën e rreth 5.4 milionë euro të ardhurash, ai nuk ka paguar asnjë detyrim financiar, te Tatimet, Sigurimet Shoqërore, TVSH, apo edhe taksa nga të ardhurat.
Mësohet se deri tani, është provuar evazioni fiskal i Erion Veliajt, në shumën e rreth 300 mijë euro, por që nga hetimet e mëtejshme të pritshme, pritet që kjo shumë të rritet.
Erion Veliaj, njihet i një nga mbështetësit, jo vetëm politik, por edhe financiar të Edi Ramës, kreut të PS-së. Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, duke pohuar këtë detaj, objekt hetim, saktësojnë se gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, Erion Vliaj, ka financuar fushatën dhe imazhin e Edi Ramës dhe të PS-së.
Mësohet se edhe ky “aktivitet” dhe kjo lidhje e Erion Veliajt me Edi Ramën, do të jetë objekt i hetimit nga ana e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›