E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Dyshohet se Kryeziu u rrëmbye

Policia ngre akuzën e
rrëmbimit për zhdukjen
e Ismet Kryeziut. Faktet
e mbledhura deri tani
çojnë vetëm në një pistë, atë të
rrëmbimit, megjithëse motivi
ende nuk është kthjelluar për
strukturat e specializuara të
policisë. Kjo konfirmohet edhe
nga prokuroria, e cila ia ka kaluar
çështjen për hetim seksionit
të antiterrorit në Drejtorinë e
Policisë së Tiranës. Ndryshimi i
statusit të personit të zhdukur
ka ndryshuar në momentin që
bashkëshortja e tij është rimarrë
në pyetje dhe ka pranuar rastin
e një borxhi, ku ishte përfshirë
edhe Ismet Kryeziu.
Pasi ka deklaruar më parë
se aktivisti kosovar për çështjet
kombëtare është larguar nga
banesa dhe se nuk ka prova apo
të dhëna që mund të hetohet
për ndonjë pistë tjetër, në ditën
e dhjetë të zhdukjes së tij, Prokuroria
e Tiranës ka regjistruar
procedimin penal për rrëmbim
dhe po heton më shumë mbi
këtë linjë. Pavarësisht se askush
nuk ka mundur të japë të dhëna
për 53-vjeçarin, aq më tepër
familja e tij, duket se policia
dhe prokuroria, megjithëse
deklaruan gjatë këtyre ditëve
se bëhej fjalë për një largim nga
banesa, nuk kanë qëndruar aq
të qetë e në pritje që i zhdukuri
të kthehej. Burime të besueshme
nga grupi hetimor bënë
të ditur se hetimet po drejtohen
nga skuadra e antiterrorit në
Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Edhe pse nuk u dha asnjë detaj
tjetër, u la të kuptohej se gjatë
dhjetë ditëve që Ismet Kryeziu
mungon në rrethana misterioze
janë verifikuar dhe mbajtur nën
survejim persona, që kanë lidhje
me kosovarin. Madje, burimet
shtuan se janë qartësuar edhe
lëvizjet e tij, deri te kontaktet
me miq të vjetër në UÇK apo
takimi me një shtetas irakian,
me të cilin ka kontaktuar për
një dhuratë. Por, agjentët i kanë
qëndruar sërish pistës për borxhin
prej 40 mijë eurosh.
Ndryshimi i rrethanave për
këtë ngjarje ka ardhur pas rimarrjes
në pyetje të bashkëshortes
së Kryeziut, Anila Leli. Ajo është
marrë në pyetje në lidhje me
borxhin prej 40 mijë eurosh, që
biznesmeni kosovar, Samet Arifi,
ka deklaruar se ia kishte dhënë
hua atij. Gjithashtu, dosja e tij
po rishikohet edhe nga sektori i
antiterrorit, për faktin se për një
kohë relativisht të gjatë Kryeziu
është mbajtur nën vëzhgim për
çështjen e tre iranianëve, të cilët
nuk janë lejuar të vizitojnë Shqipërinë,
në kohën kur ai kishte
dalë garant për ardhjen e tyre.
Më 15 nëntor, rreth orës 18:00 të
së shtunës, Kryeziu u largua nga
banesa, me justifikimin për të
takuar dy miq dhe nuk u kthye
më. E shoqja denoncoi largimin e
tij mëngjesin tjetër. Kryeziu është
njohur si një ndër miqtë e Remzi
Hoxhës dhe që ka qenë aktivist
për çështjet kombëtare që në
vitet ‘80. Ai është arrestuar disa
herë për akuza të fabrikuara ndaj
tij, që nga UDB-ja, policia shqiptare
dhe KFOR në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›