Eurodeputetët, Ramës: Luftën kundër korrupsionit duhet ta nisni nga partia juaj
Eurodeputeti Jelko Kacin: Pak vite më parë në periudhë zgjedhjesh ju na thatë që keni vështirësi t’i demaskoni njerëzit e partisë tuaj në qendrat e votimit me frikën se ato do të korruptoheshin shumë shpejt nëse zbuloheshin shpejt. Luftë kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht korrupsionit ishte ajo që i dha një shans Serbisë të ecë shpejt përpara. Do të desha të dëgjoja se si do ta luftoni ju konkretisht korrupsionin brenda partisë tuaj?
Edi Rama është përgëzuar nga eurodeputetët për mandatin e tij të parë si kryeministri i Shqipërisë, por njëherazi kanë rritur kërkesë-llogarinë ndaj tij. Në fund të debatit të zhvilluar në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian, eurodeputetët kanë mbetur pa përgjigje për çështjet thelbësore të integrimit Europian të Shqipërisë. Interesit të veçantë të eurodeputetëve, se si do ta luftojë qeveria e re luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryeministri Rama i është përgjigjur me një fjali: duke modernizuar organizma të rëndësishëm qeveritarë si agjencitë dhe hallka të tjera të rëndësishme. Kjo ishte pyetja e shumicës së eurodeputetëve, të cilët mbetën pa përgjigje konkrete. Të njëjtin fat pati edhe pyetja e eurodeputetit Jelko Kacin që e pyeti kryeministrin Rama, se si ai do të luftojë korrupsionin në partinë e tij.
Annemie Neyts, eurodeputete: Për të dalë pak nga euforia e epokës së re në Shqipëri për të cilin po flisni, si do t’i ndërtoni marrëdhëniet me forcat e tjera politike dhe me shoqërinë civile dhe si do ta luftoni korrupsionin?
Tanja Fajon: Ashtu siç tha edhe kolegia tjetër Anna, edhe pyetja ime ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, fenomen të cilit ne po i kushtojmë një rëndësi të madhe në komisionin e lirive civile. Do të desha të dija, se ç’farë idesh konkrete keni për luftën kundër korrupsionit?
Jelko Kacin: Pak vite më parë në periudhë zgjedhjesh ju na thatë që keni vështirësi t’i demaskoni njerëzit e partisë tuaj në qendrat e votimit me frikën se ato do të korruptoheshin shumë shpejt nëse zbuloheshin shpejt. Luftë kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht korrupsionit ishte ajo që i dha një shans Serbisë të ecë shpejt përpara. Do të desha të dëgjoja se si do ta luftoni ju konkretisht korrupsionin brenda partisë tuaj?
Edi Rama: Krimi organizuar dhe korrupsioni nuk është diçka që zhvillohet brenda kufijve. Është fenomen që i kapërcen kufijtë. Është si reklama e Nokias: Lidh njerëzit. Për ta luftuar ne duhet të modernizohemi dhe të kemi ndërlidhje. Përgjigjja e duhur kundër korrupsionit është modernizimi.
Eurodeputetët u interesuan gjithashtu për një sërë problemesh që kanë pritshmëri të larte në institucionet evropiane, sidomos dialogu politik me opozitën, marrëdhëniet ne rajon dhe ekonomia e vendit.
Eduard Kukan: Guxoj të them, se testi i zgjedhjeve u kalua me sukses dhe kalimi i pushtetit u bë në një rrugë të civilizuar. Tani është e domosdoshme që dialogu të ruhet mes faktorëve politikë edhe në të ardhmen. Pa këtë dialog, avancimi i Shqipërisë do të jetë shumë i vështirë .