E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruno Vespa në Tiranë për emigrimin

Takimi Funksionarë të lartë të shteteve diskutojnë për integrimin

Aktivitetet e shumta, organizuar në kuadrin e “Shqipëri-Itali: dy popuj, një det, një miqësi”, kanë përfshirë edhe emigracionin. Dy bashkëbisedime mbi këtë temë janë parashikuar në Tiranë. “Italia dhe Shqipëria 2010: migracioni mes integrimit, kthimit dhe zhvillimit” është bashkëbisedimi që do të mbahet sot, ora 11:00 në Galerinë Kombëtare të Arteve në vazhdim të konferencës së një dite më parë po mbi këtë temë, organizuar nga “Caritas” dhe “Acli Ipsia”. Duke vënë theksin te migrimi dhe mundësitë që emigrantët të shihen si potenciale të rëndësishëm në vendin ku zgjedhin të punojnë, gjatë këtyre takimeve bëhen prezente edhe politikat për një emigrim të rregullt në të dyja brigjet e Adriatikut. Nga ana tjetër, diskutohen mundësitë e një kthimi vullnetar për të dhënë kontribut në zhvillimin e vendit. Bashkëbisedimin e sotëm do ta drejtojë një figurë e njohur e televizionit italian, personazh popullor edhe në Shqipëri, Bruno Vespa. “Porta a Porta” është emisioni televiziv që ai drejton, ndërsa në Tiranë nuk vjen në kuadrin e ndonjë spektakli, por të një teme sociale të ndjeshme. E pranishme në këtë bashkëbisedim do të jetë edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›