Brus: Mungesa e Canës, një goditje e rëndë
Trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, ka pranuar se mungesa e kapitenit Lorik Cana për sfidën e së shtunës kundër Mançester Sitit është "një goditje e rëndë për skuadrën". Në takimin e humbur 2-0 në "Stadiumin e Dritës" përballë Aston Vilës, në minutën e 79, mesfushori shqiptar u largua nga fusha me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Xhejms Milner (ishte ndëshkuar më parë me karton të verdhë në të 13-ën). Brus ka dalë në mbrojtje të 26-vjeçarit, duke akuzuar gjyqtarin e takimit, për vendimet e diskutueshme. "Vendimet e arbitrit në pjesën e parë ishin shumë të dobëta", tha Brus. "Në pjesën e dytë Cana vazhdoi të luante fortë, edhe pse e kishte një karton, por unë as që kam ndërmend t‘ia ndryshoj stilin e tij të fortë të lojës. Mungesa e kapitenit është një goditje e rëndë për ndeshjen me Sitin".
e. k.