E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rreth 30% e fondeve rrezikojnë degradimin"

Kultura popullore, përfaqësuar nga objektet etnografike është bërë pjesë e Ditëve të Albanologjisë. Në pamje një atmosferë festive, ekspozita e realizuar në ambientet e Muzeut Arkeologjik ka synuar sensibilizimin për kujdesjen ndaj kësaj pasurie. Objekte të veçanta, veshje tradicionale të zonave të ndryshme, ornamente zbukuruese, stoli të përdorura nga femrat shqiptare ndër shekuj, shpata apo pistoleta dhe objekte të vogla arkeologjike janë ekspozuar për përfaqësues të ftuar të ambasadave në Tiranë, trupat diplomatikë, bizneset në vend etj. Thirrja këtë radhë shkonte më shumë ndaj tyre, një mbështetje në formë donacionesh që këto autoritete mund të sigurojnë për këtë pasuri kulturore, përkujdesjen ndaj së cilës shteti ka vite që nuk arrin ta mbulojë. Krahas vitrinave me objekte të mirëmbajtura, në kontrast të dukshëm ishin ekspozuar disa arka me objekte arkeologjike dhe etnografike thuajse të degraduara. Ato pak arka simbolizonin rreth 30% të fondit që zotëron Qendra e Studimeve Albanologjike që shkojnë çdo ditë drejt shkatërrimit e që kërkojnë pa vonesë ndërhyrje restauruese. Kjo është shifra që drejtori i QSA-së, Ardian Marashi, dha dje duke folur për fondet. Sipas tij, kjo ekspozitë, përveçse një kartolinë për festat ka qenë një thirrje sensibilizuese për të kontribuar në mirëmbajtjen e këtyre objekteve, herë-herë unike në llojin e tyre. Problemi është ngritur më herët dhe në vazhdim nga specialistë të restaurimit. "Rreth 30% e fondeve të përgjithshme janë problematike, në një situatë degradimi të vazhdueshme për mungesë specialistësh dhe për mungesë fondesh restaurimi. Të mos harrojmë që objektet janë të asaj rëndësie që shpesh janë unikale. Diçka që mund të duket krejt banale për një sy të përgjithshëm, siç është rasti i një rrote qerreje e shek 2 para Krishtit, është unikale në qendrën e Mesdheut. Restaurimi i saj kërkon rreth 1 milionë euro që as Qendra Albanologjike dhe as vetë shteti nuk ka kaq shumë fonde për të investuar për një objekt", thekson Marashi. Ndërkohë që sipas tij, një problem i pranishëm veç restaurimit është mungesa e hapësirave ekspozuese për objektet që ruhen në fonde, qoftë këto arkeologjike apo etnografike. "Ne kemi materiale aq sa të mbushim cilësisht dy muze, një të etnografisë dhe një të arkeologjisë, mirëpo hapësirë kemi pak prandaj zgjodhëm këtë ekspozitë të përkohshme të disa të objekteve më të mira dhe krah tyre me ato të degraduara. Në këtë mënyrë u japim mundësi të tjerëve që të sensibilizohen, të shohin se çfarë vlerash ka një objekt i mirëmbajtur në kushte të mira dhe i restauruar dhe një objekt gati në shkatërrim, por që mund të jetë po si ai i restauruari nëse ndërhyhet". Kureshtarë të shumtë u janë afruar vitrinave(të huajt, me prishjen e pavijonit etnografik në Muzeun Kombëtar, nuk kanë ku ta njohin këtë aspekt të rëndësishëm të kulturës shqiptare), kanë komentuar, kanë dëgjuar me kureshtje dhe më pas kanë vazhduar me ritmin e një dite të tyre të zakonshme. Më gjatë kanë qëndruar specialistët, të cilët shpresojnë se kjo ekspozitë të mund të reflektojë në ndonjë projekt të mëvonshëm. Për sa i përket vetë Qendrës Albanologjike, në projektet e saj të 2010-s nuk parashikohet ndonjë fond që t‘i kushtohet posaçërisht restaurimit të fondeve që tashmë i ka nën administrim pas bashkimit nën çatinë e saj të pesë instituteve. Drejtori Marashi e justifikon këtë me mungesën e fondeve. "Që Qendra e Studimeve Albanologjike të vërë në dispozicion projekte për restaurim dhe konservim duhet të ketë vetëm fonde. Në dy vitet e fundit, QSA nuk ka pasur asnjë fond, as për bibliotekat, për të blerë librat e fundit, sepse mbështetja ka qenë e pamjaftueshme. E vërteta është se qendra ecën shumë shpejt krahasuar me ritmet e ministrisë nga e cila varet dhe pret fondet. Por shohim që gjërat po fillojnë të ndryshojnë. Për projekte serioze dhe që kanë vlerë kombëtare kemi filluar të gjejmë mbështetje dhe ishte momenti më i mirë të sensibilizonim për kthimin e vëmendjes ndaj kësaj fushe, ndaj gjendjes së objekteve të kulturës materiale shqiptare që ruhen në këto fonde", theksoi Marashi, duke lënë të nënkuptojë se mbetet për t‘u parë ndonjë projekt bashkëpunimi që mund të arrihet gjatë vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›