"Luftar Paja", një monografi për aktorin
U promovua dje në mjediset e Teatrit Kombëtar në Tiranë monografia "Luftar Paja" shkruar nga Albert Z. Zholi me rastin e 68-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të humorit, "Artistit të Merituar", Luftar Paja. Monografia, e publikuar prej shtëpisë botuese "Toena" sjell për lexuesin një mori kujtimesh, shënimesh e mbresash të aktorit të humorit. Nëpërmjet këtij vëllimi lexuesi do të njihet me detaje nga jeta e aktorit, fëmijëria në fshatin Gorishovë të Mallakastrës, krenaria për origjinën, familja ku u rrit, shkollimi, dashuria me bashkëshorten, fëmijët, dashuria për aktrimin, rolet në kinematografi e teatër detaje nga jeta personale e profesionale etj. Aktori Luftar Paja thekson se i pari që e futi në rrugën e aktrimit që pikasi talentin e lindur të tij ishte Ndrek Beltoja, shofer, regjisor amator në Patos me të cilin u njoh në vitin 1949. Thotë se talenti i tij spikati në vitin 1957 në konkurrimin e tij të parë me një variete ku u vlerësua me çmimin e parë. Në vitin 1968, Luftar Paja inkuadrohet si profesionist në Estradën e Fierit ku ka interpretuar një sërë rolesh të rëndësishme për karrierën e tij artistike. Në teatër, film e estradë, aktori i humorit ka realizuar rreth 300 figura, shumica e të cilave kryesore. Aktori i madh, Kadri Roshi, e konsideronte si një shkollë për të kuptuar çfarë është paradoksi. "Ai bëhet shkollë për tërë kombin, për tërë artin skenik shqiptar", thoshte ai. Pas mbarimit të shkollës së mesme elektrike e pedagogjike në vitin 1963, Luftar Paja mbaron studimet 1-vjeçare për aktor në Teatrin Popullor. Luftari është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, ai është nderuar gjithashtu edhe me medaljen Naim Frashëri të klasit të parë. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e teatrit "Bylis" në Fier. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja është roli i Çobos në shfaqjen "Çobo Rrapushi me shokë". Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistikë të tillë si "Këshilltarët", "Guna përmbi tela", "Nëntori i dytë", "Gjeneral Gramafoni", etj. Ka interpretuar përkrah aktorëve të mëdhenj si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Roland Trebicka etj.