E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, Tirana dhe Teuta, në garë për Vilën

Merkato e janarit mund të rikthejë Emiliano Vilën në kampionatin shqiptar. Mesfushori i talentuar, i transferuar me shumë bujë gjatë verës te Dinamo e Zagrebit, duket se ende nuk është ambientuar me elitën e futbollit kroat. Pasi e bleu nga Teuta për 300 mijë euro, skuadra e mirënjohur vendosi ta kalonte 22-vjeçarin te klubi "satelit" i NK Zagrebit. Pas një fillimi premtues të sezonit, lojtari i Kombëtares shqiptare humbi besimin e stafit teknik, që nuk i jepte asnjë mundësi aktivizimi, qoftë edhe si zëvendësues. Nga situata e vështirë që po kalon Vila, shpresojnë të përfitojnë tri klube të elitës së futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Dinamon, Tiranën por edhe Vllazninë që kanë filluar garën për huazimin e mesfushorit. Dinamo kërkon përforcime për një largim të mundshëm të Bakajt apo edhe Plakut, Tirana po vuan mungesën e lojtarëve cilësorë dhe shpreson që me disa afrime në janar të kapë vendin e dytë, ndërsa Teuta i ofron lojtarit ambientin ideal për të vazhduar rritjen e tij si profesionist. Por, problemi është se lojtari është mjaft i kushtueshëm dhe Dinamo e Zagrebit mund të pretendojë shifra të konsiderueshme për huazimin e tij.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›