E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristaq Mile, "viktima" e shtatë mes trajnerëve të Kategorisë Superiore

Aventura e Kristaq Miles te Shkumbini ka arritur në finishin e saj. Ky ka qenë një nga verdiktet e javës së 15 të Kategorisë Superiore, të zhvilluar në mesjavë. Humbja e turpshme 4-1 në fushën e një rivali direkt për një vend në mesin e tabelës si ajo e djeshmja ndaj Kastriotit, ka bërë të humbasë durimi i drejtuesve të lartë të klubit peqinas, të cilët kanë marrë masën e shkarkimit nga detyra për trajnerin beratas. Kjo humbje nuk është përtypur dot nga klubi, i cili noton në ujërat e qeta të mesit të klasifikimit. Por disfata e së mërkurës në Krujë ka shkaktuar edhe rokadën mes dy skuadrave në tabelën e renditjes. Pas fitores 4-1, Kastrioti i ka rrëmbyer Shkumbinit vendin e gjashtë, pasi ka 19 pikë, një më shumë se peqinasit, që tashmë kanë përfunduar në vendin e shtatë me 18 pikë pas 15 javëve të para. Kristaq Mile u emërua në krye të kësaj skuadre pas javës së dytë të këtij sezoni, menjëherë pasi vendi ishte vakant pas largimit të trajnerit të atëhershëm, Gugash Maganit. Deri në atë moment (pas dy javëve të para të sezonit), Shkumbini kishte mundur të grumbullonte vetëm 1 pikë. Gjatë 13 ndeshjeve me Milen në krye, skuadra e qytetit të Peqinit ka grumbulluar 17 pikë të tjera. Bilanci i tij nën drejtimin e kësaj skuadre është: në 13 ndeshje, 6 humbje, 5 fitore, 2 barazime. Në një analizë më të hollësishme, është e dukshme ecuria negative e peqinasve në ndeshjet jashtë fushës së tyre, ndërkohë që krejt ndryshe mund të flitet për ndeshjet e luajtura në shtëpi. Në 13 ndeshjet që Mile ka udhëhequr Shkumbinin, ka marrë gjashtë fitore dhe një barazim në takimet e luajtura në shtëpi. Ndërsa problemi kryesor i tyre ka qenë transferta, ku në gjashtë ndeshje, kanë koleksionuar vetëm një rezultat pozitiv (barazimin 1-1 në Vlorë në javën e tetë) dhe pesë humbje. Vetëm pesë ditë më parë (në javën e 14) Shkumbini kishte arritur një fitore bindëse 3-0 me Apoloninë në Peqin. Por humbja 4-1 në Krujë dje ndaj Kastriotit ishte si një "rrufe në qiell të hapur", gjë që duket se ka pasur edhe ndikimin maksimal në vendimin e drejtuesve të lartë të peqinasve. Mile është trajneri i shtatë në këtë sezon, i cili largohet nga drejtimi i ekipeve të Kategorinë Superiore.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›