Shqipëria e 96-a, por -18 pozicione në një vit
Shqipëria ngjit dy vende në 31 ditë, por humbet 18 pozicione në 365 ditë. Ky është bilanci i Kombëtares së futbollit përkatësisht në muajin e fundit të vitit. Përfaqësuesja jonë u ngjit dy vende në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin dhjetor 2009, duke mbyllur vitin futbollistik në vendin e 96, me 336 pikë. Megjithatë ky sukses zbehet menjëherë, kur mendon se në krahasim me janarin e këtij viti, Kombëtarja jonë ka bërë 18 hapa pas. Në janar Shqipëria pozicionohej e 78-a në botë. Në renditjen e UEFA-s, përfaqësuesja jonë vazhdon të renditet në vendin e 42-të, midis Moldavisë dhe Armenisë. Ndeshja e fundit e Kombëtares ishte barazimi 0-0 me Estoninë në Talin, më 14 nëntor 2009. Përfaqësuesja jonë ndodhet në vazon e pestë për shortin e eliminatoreve të Euro 2012.