Brusa-Pollo: Kufizim të imunitet të zyrtarëve

Prezenca e BE-së në Shqipëri kërkon kufizim të imunitetit të gjyqtarëe dhe deputetëve si dhe të luftohet korrupsioni. Në takimin e gjashtë të projektit kundër korrupsionit në Shqipëri Luigi Brusa, zv.ambasador i BE-së deklaroi se zbatimi i masave antikorrupsion ka qenë i pamjaftueshëm, ndërkohë që theksoi rëndësinë e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve.
“Zbatimi i masave antikorrupsion është i pamjaftueshëm dhe për këtë duhet që të forcohet lufta ndaj korrupsionit.Gjithashtu moskufizimi i imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve sjell vështirësi në hetimin e cështjeve të ndryshme dhe për këtë theksojmë rëndësinë e kufizimit të imunitetit.. Në progres raportin e këtij viti thuhet se nuk është bërë përparim për të luftuar korrupsionin në gjyqësor, një prej faktorëve kryesorë që pengon hetimin ka qenë imunitetit. Ne besojmë se mesazhi është i qartë. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare për të ndërmarrë masat e nevojshme sipas standarteve europiane dhe për të hetuar sic duhet aktet korruptive sic kërkohet në progres raportin e KE-së” ka theksuar Brusa.
Në rolin e kryetarit për parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit ministri Genc Pollo theksoi se qeveria është e gatshme të ndërrmarë kufizimin e imunitetit por natyrisht nëse e gjithë kjo do të mbështetet prej opozitës.
Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës dhe synon të përmirësoj strategjinë dhe politikat antikorrupsion.