Bulqizë, shembet një pjesë e minierës, vdes një minator

Duket se telashet nuk kanë të sosur në minierën e kromit në Bulqizë. Pas një shpërthimi të ndodhur pak kohë më parë në këtë minierë ku ndërroi jetë një minator dhe u plagosën 8 të tjerë, një tjetër incident është shënuar mesditën e sotme.
Një minator ka gjetur vdekjen sot në galerinë 66 të minierës së Bulqizës pas shembjes së një pjese të kësaj galerie. Fetah Shehu 56 vjeç, ka gjetur vdekjen pas shembjes të një masivi dheu brenda galerisë.
Mësohet se 56-vjeçari ishte duke nxjerrë krom në këtë pjesë të minierës e cila ishte e braktisur në momentin ku një masiv dheu është shembur duke e zënë atë sipër.
Menjëherë ekipet e kërkim-shpëtimit kanë shkuar në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur edhe nxjerrjen e trupit të minatorit. Gjithashtu në vendngjarje ka shkuar edhe një ekip hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.