Hebovija: Kompanitë e ndërtimit po falimentojnë, bankat nuk japin kredi
Tregu i ndërtimit parashikohet i vështirë edhe për vitin 2012 nga ndërtuesit. Sipas tyre kriza ekonomike është një faktor determinues në këtë sektor. Ndërsa agjencitë imobiliare raportojnë se kontratat e vetme të nënshkruara për shit-blerje janë apartamentet e luksit me mbi 100 metër katrorë, dublex dhe vilat, si edhe apartamentet deri në 60 metra katror
Ndërtuesit parashikojnë një vit të vështirë në prag të këtij sektori. Sipas tyre, edhe 2012-ta do të ketë një klimë të rënduar të biznesit të ndërtimit. Zëvendëspresidenti i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Ilir Hebovija e argumenton gjendjen e sektorit të ndërtimit në vend me krizën ekonomike e cila po dëmton rëndë këtë sektor. Në një deklaratë për shtypin, Hebovija u shpreh se muajt e fundit shumë kompani ndërtimi kanë falimentuar dhe kjo si pasojë e krizës. Sipas Hebovijës, kjo gjendje ka ardhur për shkak të mungesës së blerësve dhe mosdhënies së kredive prej bankave. Gjithashtu, ai ka bërë apel që të merren masa dhe të stimulohet ndërtimi si një sektor mjaft i rëndësishëm për ekonominë e një vendi. Ndërkohë sipas Hebovijës, çmimet e apartamenteve janë ulur për të tërhequr blerës, madje edhe investimet për ndërtimin e pallateve të reja janë shumë të pakta. Të njëjtën gjë pohojnë edhe agjencitë imobiliare, se puna e tyre ka rënë mjaft për sa i përket tregut të shit-blerjes së apartamenteve. Sipas agjentëve imobiliarë, shitjet e apartamenteve dhe njësive tregtare kanë ngelur të pandryshuara dhe gjatë muajit dhjetor, duke paraqitur të njëjtin tablo të tregut të këtij viti. Sipas tyre, ka njerëz që interesohen, por nuk kanë fuqi blerëse pasi kriza ekonomike ka ndikuar mjaft. Agjentët imobiliarë shprehen se vazhdon trendi që ka përshkuar gjatë gjithë këtyre dy viteve tregun e ndërtimit, ku kontratat e pakta që nënshkruhen janë blerje emergjente për apartamente me deri në 60 metra katror ose blerjet e luksit, si vila, dublex dhe apartamente me 100 metra katror. Ndërsa për sa i përket pronave, interesi është i fokusuar drejt pronave që kanë çmime të ulëta. Për qytetin e Tiranës, raportojnë agjencitë imobiliare, kontratat e shitjeve janë për zonat si Kashari, Yzberisht, Dajti apo Farka. Në këto zona çmimet variojnë nga 350-500 metër katror, është pikërisht ky çmim i favorshëm që ka ndikuar në shitjen e apartamenteve.
Por, duke u zgjeruar vështrimi drejt qendrës, çmimet për metër katror fillojnë e shumëfishohen. Në zonën e “Astirit” çmimet variojnë nga 600 – 650 euro për metër katror, ‘Zona e Freskut’ Ndërsa për sa i përket tregut të qirave, agjencitë shprehen se puna e tyre tanimë mbahet me këtë sektor. Ardhja e studentëve dhe zhvendosjet demografike ushqejnë këtë sektor dhe e mbajnë gjallë.
Tabela e çmimeve të apartamenteve
Yzberisht- 350-500 euro/metri katror
Astiri- 600-650 euro/metri katror
Liceu- 2000 euro/metri katror
Bllok- 1500 euro/metri katror
Tabela e çmimeve të apartamenteve me qira
Pallatet ‘Agimi’ – 1+1 300 euro e mobiluar
- 2+1 350-400 euro e mobiluar
- 1+1 30 000 lekë bosh
- 3+1 700-1200 euro e mobiluar
Zona e “ish-Bllokut”- 1+1- 350-500 euro e kompletuar
- 2+1- 500-800 euro e kompletuar
Komuna e Parisit - 1+1- 20 000- 30 000 lekë
2+1 25 000 – 40 000 lekë
Unaza e Re 1+1 15 000- 25 000 lekë
2+1 20 000 – 30 000 lekë
Qyteti Studenti Garsonierë – 15 000 – 18 000 lekë
1+1 20 000 – 25 000 lekë