E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buçkovski akuza qeverisë: Izoluese, eksperimenton

 

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, ka akuzuar qeverinë maqedonase se e ka izoluar vendin dhe programet e saj nuk janë tjetër veçse eksperimente. Në një intervistë për “Evropa e lirë”, Buçkovski tha se, “mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën përkon me ngrohjen e marrëdhënieve të Shkupit me Beogradin”. Deputeti i LSDM-së tha se, “është e qartë se Maqedonia po kalkulon me vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën. Sipas mendimit tim, kjo ndodh për shkak të ngrohjes së marrëdhënieve me Beogradin dhe pas ridërgimit të ambasadorit maqedonas atje. Buçkovski shtoi se kjo ka të bëjë edhe me populizmin, si veçoria kryesore e politikës së kryeministrit Nikola Gruevski. Më tej ai tha se, “në tre vjetët e kaluar, Maqedonia, si një nga liderët në rajon dhe një nga aleatët më të fuqishëm të Brukselit dhe Uashingtonit, është bërë, sipas meje, shteti më i izoluar, i cili në pjesën e politikës së jashtme po bën shumë eksperimente. Në vend që deri në fund t’i realizojë premtimet që u dhanë pas formimit të qeverisë ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ne tash po shohim se nga gjithë kjo ka mbetur vetëm premtimi i kotë”, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›