Zbarkon “garda e vjetër”, por trajneri nuk i njeh
Leonard Karaj
Sytë nga trioja e sapo mbërritur. Jo vetëm për faktin se skuadra gjendet në një pikë kritike me shumë të dëmtuar dhe pa stol, por edhe se “zbarkimi” i Dedes, Sinës dhe Ahmatajt është parë me spekticizëm, sidomos nga tifozeria bardheblu. Por nuk mjafton kaq. Edhe vetë trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç, pohon se nuk i njeh mirë futbollistët, por thjesht ka marrë informacion për ta pasi treshja kishte gjetur akordin me presidentin e klubit, Refik Halili. “Nuk i njoh shumë këta futbollistë ndaj do t’i shikoj gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore për të krijuar një ide më të qartë. Kam marrë disa informacione dhe di që Dede ka qenë i dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm edhe për pak kohë. Ndërsa Sina e Ahmataj do të shikoj nëse mund t’i aktivizoj, pasi kemi shumë mungesa në ekip”, ka pohuar trajneri i Tiranës, Lonçareviç në një prononcim për mediat.
“Garda e vjetër”
Treshja bardheblu, Nevil Dede, Elvis Sina dhe Julian Ahmataj kanë nisur dje zyrtarisht stërvitjen me skuadrën e Tiranës. Duke iu referuar trajnerit dhe ndihmësit të tij, me shumë gjasa këtë javë në fushë ndaj Skënderbeut mund të shihet vetëm Sina, duke qenë se në krahun e djathtë të mbrojtjes do të mungojë Andi Lila, i cili u ndëshkua me karton të kuq në takimin e parë të këtij sezoni ndaj Flamurtarit. Ndërsa, Dede me dëmtimin që ka pasur do të mund të kthehet në fushë vetëm pas 1 muaj e gjysmë. Me ardhjen e këtyre tre lojtarëve, sipas Lonçareviç, merkatoja e Tiranës është përfundimisht e mbyllur. “Di që mbrëmë (të hënën) presidenti Halili ka folur edhe me një lojtarë tjetër, por pa arritur akordin, ndaj mund të them se tashmë merkatoja është e mbyllur”, ka thënë tekniku kroat.
Skënderbeu
Nuk priten ndryshime të mëdha te Tirana për ndeshjen e dytë të kampionatit. Kjo, pasi asnjë (hiq Osmanin që është në pikëpyetje) nga të dëmtuarit nuk do të mund të rikuperohet. “Gjendja është e vështirë. Nuk ndryshon asgjë nga java e kaluar. Kam shumë lojtarë të dëmtuar, ndaj më duhet të improvizoj. Nuk e di nëse do të mund të rikuperoj Osmanin dhe nëse Malindi dhe Bicaj do të jenë në rregull me dokumentacionin për t’i aktivizuar. Gjithsesi po përgatis një skuadër për të zbritur në fushë për një rezultat veçse pozitiv. Dëmtimet nuk janë justifikim për të mos fituar”, ka pohuar Lonçareviç.