E Diel, 1 Nëntor 2026

E drejta TV, UFA Sport propozon kontratë të re

 

Pas takimit të zhvilluar më 21 gusht mes përfaqësueseve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentëve të klubeve për të drejtën televizive, gjithçka duket se po shkon në udhë të mbarë. Oferta e parë që kishte bërë kompania UFA Sport, për të marrë të drejtën televizive dhe të menaxhimit të reklamave të kampionatit shqiptar, është hedhur poshtë nga presidentët, të cilët nga ana e tyre bënë disa propozime që të mund të përfshihen në këtë ofertë. Ndër kërkesat e reja që bënë klubet shqiptare ishte marrja e 50% të pagesës minimale që në fillim të sezonit, kontrata të mos jetë më e gjatë se 3-vjeçare me opsion shtyrje edhe për 3 vjet të tjera dhe të mbajnë 50% të sipërfaqes së reklamave nëpër stadiume. Parimisht kompania UFA Sport ka rënë dakord me këto kërkesa dhe ka nisur menjëherë punën për riformulimin e një oferte të re, ku do të jenë të përfshira edhe këto kërkesa të klubeve. Gjithsesi duket se edhe kjo fundjavë e kampionatit shqiptar do të luhet e trasmetohet si java e parë, më pas do të jenë 2-3 javë pushim për shkak të grumbullimit të përfaqësueses, dhe palët do të kenë mundësinë që të diskutojnë dhe ndoshta të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare që do të jetë firmosja e kontratës, një hap i parë ky, drejt formimit të ligës së shumëpërfolur nga klubet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›