Greqi, zjarret drejt shuarjes totale, ka katastrofë ekologjike
Situata në Greqi duket se është përmirësuar së fundmi, ndërsa qeveria greke pret të shuhen edhe vatrat e vogla të fundit të zjarrit për të llogaritur dëmet, të cilat pritet të jenë kolosale. Megjithatë forcat zjarrfikëse nuk e përjashtojnë plotësisht rrezikun e riaktivizimit të vatrave për shkak të temperaturave të larta. Mbeten problem vetëm zjarret në gadishullin e Evias, të cilat vazhdojnë prej katër ditësh. Dje qeveria greke nisi vlerësimin e dëmeve në rajonin e Atikës, ku sipas zëdhënësit të qeverisë janë dëmtuar krejtësisht ose pjesërisht 150 banesa, përveç tokave. Sipas të dhënave satelitore të Sistemit Informativ Evropian për zjarret në pyje, gjatë këtyre ditëve në Greqi janë djegur 235 hektarë pyje, kryesisht në Atikën Verilindore. Zyrtarët lokalë dhe ekspertët kanë vlerësuar se katastrofa ekologjike është e pariparueshme në plan afatmesëm. BBC citon shtypin grek, ku thuhet se temperaturat në pellgun e Atikës do të rriten ndjeshëm në një të ardhme të afërt dhe ky është një rrezik i ri. Sipas ekspertëve, kjo i dedikohet faktit se pemët e brezit pyjor në pjesën veriore dhe verilindore të Atikës e ulnin në masë të konsiderueshme temperaturën e ajrit. Tani e tutje ajri që do të kalojë në zonat e djegura, në vend që të ftohet, do të ngrohet. Fjala me të cilën përshkruhet fenomeni është shumë e madhe: “Bëhet fjalë për një bombë termike”, citon shtypi i Athinës vlerësimin e ekspertëve. Pritet që zonat e djegura do të përballen me rrezikun e përmbytjeve.