E Diel, 1 Nëntor 2026

Budakova, i forti i kinematografisë

Derisa shumica e filmbërësve kosovarë hezitojnë të merren me tema më të lehta, Halil Budakova na befason me guximin e tij. Pas sukseseve të filmave të tij, të zhanrit aksion, Budakova kësaj radhe trajton një figurë të madhe historike, Azem Galicën. Nga Albana S. Muja më 01 shkurt 2011 në ora 15:30

Aktori dhe regjisori i filmit të shumëpritur “Azem Galica”, Halil Budakova thotë që pavarësisht vështirësive për gjetjen e mbështetjes financiare për realizimin e filmit të tij, nuk i mungoi guximi që të merret me këtë projekt, ngaqë, sipas tij, guximi nuk duhet munguar për një film që subjekt ka një figurë si Azem Galica, ose figura tjera historike të përfshira në film. Sipas tij, kinematografisë kosovare i ka munguar një film i tillë.

Për realizimin e filmit i janë dashur rreth 450 mijë euro. Për gjetjen e këtyre mjeteve Budakova ka kërkuar mbështetje nga kompani të ndryshme, pasi që, siç thotë ai, institucionet adekuate si Qeveria dhe Ministria e Kulturës nuk e kanë mbështetur fare.

Në film është i përfshirë një kast i madhe i aktorëve të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, dhe për ti bërë bashkë, Budakova thotë që e ka arritur me shumë mund, punë dhe sinqeritet.

Në intervistën për Express, në prag të shfaqjes së premierës së filmit “Azem Galica”, regjisori Budakova flet për filmin si dhe për sukseset e tij të mëhershme.

Express: Si erdhi ideja dhe guximi të bësh një film për Azem Galicën?
Budakova: Unë mendoj që çdo njeri që është i përsosur për një profesion, duhet që të ketë edhe guxim të realizojë diçka, pavarësisht a është e rëndë apo e lehtë. Figura e Azem Galicës mendoj që është dashur të punohet shumë më herët, sepse i ka munguar kinematografisë kosovare një film i tillë, jo vetëm për Azemin por edhe për figura të tjera kombëtare.

Express: Përse jeni marrë pikërisht me këtë temë historike?
Budakova: Një prej ngjarjeve më të mëdha historike në Kosovë është Azem Galica. Ai për kohën e tij ka qenë një legjendë e gjallë, që ka luftuar për një ideal shumë të madh, për një Shqipëri të madhe, për një shtet që ne sot e gëzojmë. Por në këtë film nuk është vetëm figura e Azem Galicës por edhe e Shotë Galicës, e shumë figurave tjera politike e luftarake të Shqipërisë së atëhershme, rolet e të cilëve i luajnë aktorët më të mëdhenj nga Kosova dhe Shqipëria.

Express: Si ke arritur të mbledhësh një kast kaq të madh të aktorëve më të njohur?
Budakova: Me punë, me sinqeritet, me mund kam arritur t’i sjelli në film aktorët më të mëdhenj. Me sinqeritetin më të madh iu kam lajmëruar aktorit të madh, Reshat Arbanës, që është artist i popullit dhe i kam ftuar edhe shumë aktorë të tjerë si Enver Petrovcin, Hadi Shehun, Çun Lajçin e shumë aktorë të tjerë të njohur, që të jenë pjesë e filmit.

Express: Çfarë pret nga ky film?
Budakova: Pres shumë nga ky film, i cili pa dyshim do t’i thyej të gjitha rekordet ashtu siç ka ngjarë me pesë filmat e mi të mëhershëm. E ftoj gjithë publikun të vijë ta shohë filmin, sepse kanë çka shohin. E shohin një figurë shumë të madhe historike që e kemi dëgjuar vetëm nëpër këngë apo lexuar në libra. Tani kanë mundësi ta shohin të gjallë në ekran sepse kinemaja jep edhe shpirtin.

Express: Çka fshihet pas suksesit të filmave të mëhershëm?
Budakova: Me pesë filmat e mëhershëm e kam thyer rekordin. Që dhjetë vite e mbaj rekordin në Kino ABC dhe do ta mbaj deri në momentin kur Halili Budakova nuk është më, sepse e di shumë mirë mentalitetin dhe e njoh këtë popull. Jam shqiptar dhe komunikoj më së miri me popullin tim. Edhe ky film prapë do t’i thyej të gjitha rekordet pa dyshim, pavarësisht që nuk kemi mundur ta realizojmë komplet skenarin e Zymber Kelmendit, sepse ai e ka bërë një skenar shumë të mirë. Sigurisht që për ta realizuar komplet skenarin apo një film të mirëfilltë ndoshta do të na duheshin një apo dy milionë euro.

Express: Si e shihni shikueshmërinë e lartë të gjithë filmave tuaj të deritanishëm?
Budakova: Mendoj që nuk e përcakton shuma e mjeteve financiare idenë që filmi të shikohet shumë apo jo. Shuma e mjeteve financiare gjithashtu nuk e përcakton me qenë filmi i mirë ose i keq. Filmin e përfaqëson ideja e mirë, skenari i mirë, aktorët e mirë, regjia e mirë, kasti i mirë i aktorëve, etj. Të gjitha këto të sjellin një shikueshmëri të madhe.

Express: A i frikoheni kritikës së mundshme për filmin?
Budakova: Kritikës nuk i frikohem, i frikohem vetëm Zotit. Edhe ashtu nuk ka kritikë shumë profesionale në Kosovë. Fatkeqësisht, që 100 vite sa ekziston Kosova Filmi, nëse i bashkojmë krejt filmat, po dolën më shumë se 20 filma, mu Zoti më vraftë. Aq filma sa ka realizuar Kosova Filmi që 100 vjet unë i kam realizuar për 5 apo 6 vjet. Unë tani jam 35 vjeç dhe i kam realizuar mbi 20 projekte dhe pres edhe 50 tjera apo më shumë dhe paramendo të dalë e të më kritikojë një kritik që i ka bërë dy filma të metrazhit të shkurtër, që për mua një film i metrazhit të shkurtër është një skenë e këtij filmi, është absurde, apo jo!
Mua shteti nuk më ka kuptuar ende, por ndoshta dikush lufton për të mos e arritur nivelin, por unë do ta arrij, kot e kanë, fare, sepse kam qenë, jam dhe do të mbes njeriu më i fortë i kinematografisë kosovare edhe për nja 300 vjetët e ardhshme.
Një njeri që i thyen gjashtë herë rekordet nuk mund të jetë budalla as i çmendur, mund ta thyej një herë rastësisht me një film, por me pesë apo me gjashtë jo. Duhet të shihet që ka diçka specifike te unë që po e zhvilloj dhe po punoj, duhet të më japë ndihmën edhe shteti edhe institucionet përkatëse, jo vetëm mua por edhe kolegëve të mi.
Më vjen keq për vetveten të them, por dikush ka zotësi, mendoj që pak talenti është edhe i lindur, i cili zhvillohet më shumë me punë dhe realizon atë që ke dëshirë, siç ka ndodhur me filmat e mëhershëm. Me jo shumë buxhet e kam thyer rekordin e shikueshmërisë.

Express: Çfarë përshtypje të kanë bërë thashethemet që kanë qarkulluar nëpër internet?
Budakova: Nuk ka reklamë të keqe. Për njeriun që flitet ai njeri vlen. Unë jam njeri i këtij vendi, unë jam njeri i këtij populli, unë jam si ata, ata janë si unë. Është e drejt e secilit të flasë, mirëpo puna shihet!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›