Isufi: Në koalicion, nëse kryeministri vendoset nga AAK-ja

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi e ka rikonfirmuar qëndrimin kjo parti do të hynte në koalicion më Partinë Demokratike të Kosovës, vetëm sikur ta ketë postin e kryeministrit në qeverinë e re.
Në një intervistë të dhënë për NewsTv, Isufi tha se vetëm kështu, AAK-ja do të realizojë programin e saj të marrjes së përgjegjësive, siç ka thënë ai, duke pasur “përgjegjësinë kryesore” në qeverisje me postin e kryeministrit.
Ndërkohë, Isufi ka thënë se kjo parti është e gatshme t’i përgjigjet ftesës për koalicion, por sipas tij, mandej gjithçka do të varet nga bisedimet që do zhvillohen.
“Të gjitha parregullsitë që janë bërë deri tash, qoftë edhe nga qeveria e kaluar por qoftë edhe periudha e procesit zgjedhor, janë gabime të cilat duhet të përmirësohen, vetëm me pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të spektrit politik në qeverisje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në pyetjen nëse realizohet kjo ofertë për koalicion, cili është emri i AAK-së për kryeministër, Isufi thotë se në mungesë të liderit të partisë, Ramush Haradinaj, kjo parti ende nuk ka bërë planet se cili do të ishte propozimi për kryeministër.
Por numri dy i AAK-së, thotë se kjo parti do të jetë në gjendje ta gjejë një figurë të plotë që përfaqëson atë që synon AAK-ja.
Ndër të tjera, Isufi gjatë kësaj interviste ka folur edhe rreth situatës së Mitrovicës, sundimit të ligjit, funksionimin e qeverisë, etj.