Nevoja për tu treguar që janë njerëz si të tjerët
Tregojnë që Aleksandri i Madh paguante një njeri, i cili kishte vetëm një detyrë: sa herë që Aleksandri merrte kot dhe bëhej arrogant dhe i pakontrollueshëm, ai i afrohej dhe i pëshpëriste te veshi: “Aleksandër, edhe ti je thjesht një i vdekshëm si të gjithë”.
Në tekstet e historisë gjen, gjithashtu, edhe një shembull tjetër nga Kostandinopoja e largët, i pari i së cilës kishte një shtëpi zyrtare, dritaret e dhomës së gjumit të së cilës binin nga varrezat e mëdha të qytetit. Ishte ndërtuar enkas e tillë, që t’i kujtonin të parit të qytetit, sa herë zgjohej në mëngjes, që ishte një i vdekshëm si të tjerët.
Sepse problemi me pushtetet e pakufizuara është njësoj në të gjitha kohët. Ndaj janë shpikur pushtete kontrolluese dhe pushtete opozitare. Që të mos i fluturojë mendja të ziut njeri dhe të debiloset. Diktatorët kanë pasur të gjithë funde tragjike për veten dhe popujt e tyre. Sepse arrinin në pikën kur bëheshin të pakontrollueshëm dhe, fill pas kësaj, bënin marrëzira njëra pas tjetrës..
Ngjashëm me historinë, edhe diktatoruci në miniaturë i Shqipërisë së 2008-s, Kryeministri Berisha, po marroset për herë të dytë pas ‘97-s.
I njëjti që falënderoi (me të drejtë) NATO-n për ndihmën që i dha Shqipërisë për të marrë një vend (të pamerituar) në aleancë, i njëjti tani injoron sugjerimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos miratuar një ligj të pazbatueshëm kundër regjimit komunist.
Investimi në këtë çështje i një zyrtari të lartë amerikan, siç është Daniel Friedi, dhe injorimi i kërkesave të tij, më shumë sesa mungesë respekti ndaj SHBA-së, vizaton një lider “jashtë kontrollit”.
Nuk është e zakonshme kjo që po ndodh: u bashkuan Departamenti Amerikan i Shtetit, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja në një qëndrim të përbashkët kundër Berishës (them Berishës, megjithëse në respekt të institucioneve, do doja të thosha “qeveria” ose “deputetët e djathtë”, por nuk ekziston as qeveri, as deputetë, është thjesht vullneti i një individi të vetëm që po shkon drejt kaosit mendor).
Një egërsi e tillë kundër tij nuk është vërejtur në asnjë segment të jetës së tij politike, dhe kur vendi po rrëshqiste në humnerën e destabilitetit në vitin 1997. Angazhimi i qeverisë amerikane kundër një ligji të thjeshtë në Shqipëri, nuk do të ndodhte kurrë, nëse pas saj nuk fshihet një fenomen më i rëndë, dalja nga kontrolli dhe shenjat e paparashikueshmërisë për Kryeministrin tonë. Nëse është ndryshe, nëse Berisha ka të drejtë dhe ata janë gabim, ai duhet të dalë ta sqarojë. Në rast të kundërt, heshtja është e rëndë, pasi dëshmon se Kryeministri ka humbur mbështetjen e Perëndimit dhe nuk mund të jetë as Kryeministri që do të na fusë në NATO dhe as ai që do të na çojë drejt BE-së. Ai mund të rrijë dhe me forcë në atë post, por nuk është Kryeministri që na duhet, nëse do të shkojmë vërtet në Perëndim.