E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë duhet të bëj që të ngre nivelin tim njerëzor?

Ne të gjithë e dimë se si bëhen gjërat në Shqipëri, tani për tani: po pagove dhe pate miqësi, ti shkon diku, në qofte se nuk i ke këto dy kushte, atëherë do të ngelesh në vend, pa alternativa. Është një turp për të gjithë ne që u japim mundësinë njerëzve të pakualifikuar të na prezantojnë.

Koha që shkon, nuk bën gjë tjetër, veç na kujton sa e domosdoshme dhe urgjente është krijimi i një udhëheqjeje të re me njerëz të edukuar, të sinqertë dhe të kualifikuar për postin që ata mbajnë.

Mendimi im është që shumica e këtyre duhet të japin dorëheqjen menjëherë. Mos prisni t’i japë fund korrupsionit një person apo dy persona. Ne të gjithë si shqiptarë duhet t’i japim fund korrupsionit. Çdo shqiptar duhet ta pyesë veten: “A jam i kualifikuar për këtë punë?”. “Çfarë duhet të bëj që të ngre nivelin tim?”. E vërteta është se shumë nga ne shqiptarët nuk duam të punojmë dhe kemi idenë se çdo gjë duhet të arrihet me lehtësi. Të gjithë që kanë emigruar jashtë, e dinë fare mirë se si arrihen gjërat. Po nuk punove, nuk përparon. Shtëpia nuk mbahet me bukë hua. Shpresoj se e ardhmja do të jetë më e mirë për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›