Disi kundër rrymës për festimet e ndërrimit të viteve
Macja e zezë ngjan me Vitin e Ri. Nga macja ke frikë se do të ecë ters rrugës dhe shpreson se duhet të kalojë dikush tjetër për ta prishur mallkimin idiot historik. Ndërsa tek Viti i Ri, pret të vijë fundi dhe fillimi. Tek macja e zezë fillimi është takimi me të.
Në qoftë se kalon përtej kufirit të zi, pret se çdo të ndodhë. Edhe në Vit të Ri, pret se çdo të ndodhë, madje luten në lutjet e pas orës 12 e 1 minutë, që t’ju shkojë më mbarë.
Pianoja e zezë e fqinjit tim me macen e po të njëjtës ngjyrë mbi të, vazhdon të dëgjohet vetëm nga unë, megjithëse nuk banon më aty. Edhe kjo festë që njerëzit e duan kaq shumë, është si macja e zezë, atje ajo të sheh dhe kalon para teje për të shkuar diku. Edhe kjo festë kalon para nesh, duke shpresuar ne prej saj se, në kalimin tjetër do të jetë më i mbarë.
Për mua e gjitha është një ritual, a nuk është i mërzitshëm të bëhet një i tillë çdo vit? Kush do ta dinte se edhe unë do të lindja një ditë?! Që nuk do të desha kaq shumë disa festa që mërzisin, marr nëpër mend si mund të jem pas disa kohësh, duke m’u venitur gëzime që njerëzit i duan kaq shumë.
Por, ne njerëzit jemi kanibalë, ne pëlqejmë shumë të pjekim të shkuarën tonë, të kënaqemi me të duke pirë dhe duke ngrënë. Pasi ka vdekur një vit i vjetër, që është duke dhënë shpirt rreth orës 12 : 00, e vdesim, e hamë me gatimet tona, presim një të ri për të ringrënë përsëri.
Humori tashmë është bërë traditë, që në këtë festë të shëmtuar të jetë për më shumë një festë e shëmtuar humori, programet televizive dhe vetë humori mezi mbahen, aktorët më duken si varfanjakë humori në teatrin e rrugëve. Mos të kujtojnë se janë aktorë apo artistë rrugësh, nuk do të desha t’i quaja të tillë, sepse ata janë më të talentuarit. A nuk është e mërzitshme të bësh të njëjtat gjëra çdo vit?