Buffon beson në Ligën e Kampionëve

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka thënë se kurrë nuk mendon se ekipi mund të dështojë në kualifikim për Ligën e Kampionëve. Bianconerët nuk kanë fituar në katër ndeshjet e fundit në Serie A, ndërsa kanë shkarkuar trajnerin Ciro Ferrara, duke e zëvendësuar me Alberto Zaccheronin, javën e kaluar.
Ata aktualisht gjenden në pozitën e gjashtë, 15 pikë prapa liderit Inter. “Kurrë nuk e kam marrë në konsideratë se mund të mos jemi në Ligën e Kampionëve. Me ekipin që kemi, do mund të përfundojmë në tre pozitat e para, por është e qartë se për ta bërë, ne duhet të jemi gati dhe të zbatojmë atë që kërkon trajneri nga ne”, tha Buffon, për të përditshmen sportive italiane Tuttosport.
Portieri italian komentoi edhe shkarkimin e Ferraras. “Fatkeqësisht për trajnerët, kur gjërat shkojnë keq është më lehtë të largohet një person, sesa 25 të tjerë. Më vjen keq për Ciron, sepse ishte trajneri ynë dhe shok i yni, ndërsa u desh ta paguajë çmimin”, u shpreh Buffon. Përveç pozitës së vështirë në Serie A, Juventus është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe Kupa e Italisë, ndërsa janë në garë në Europa League.