Bufon: Brazilin do ta mundim dy herë
"Refuzon kritikat për lojën, sepse, thotë ai, Italia nuk ka luajtur kurrë një futboll të lehtë". Por i shpall luftë Brazilit, të cilin mendon se mund ta mundë jo vetëm të dielën, por ndoshta edhe në finalen e Kupës së Konfederatave. Xhixhi Bufon është serioz, si gjithmonë, sidomos pas asaj humbjeje të dhimbshme ndaj Egjiptit: "Italia nuk ka qenë kurrë vendi i futbollit të lehtë, teknik, apo i fitoreve të thella të tipit 6-0. Ky i yni është një futboll ‘i fortë‘. Italia historikisht ka qenë një skuadër luftarake, e cila është mirë fizikisht, që është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ta mposhtësh. Por kemi probleme me të gjithë kundërshtarët". I pyetur se si ndihet Italia para ndeshjes me Brazilin, ai është shprehur: "14-15 elementë janë në një formë të mirë. Italia mund ta mundë Brazilin, pastaj Spanjën në gjysmëfinale, pastaj sërish Brazilin në finale". Në Pretoria do të luhet të dielën.