E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufon, Kanavaro, Gatuzo, të përfshirë në baste?

TIRANE-Xhixhi Bufon, Ivan Xhenaro Gatuzo dhe Fabio Kanavaro, janë tre emrat e zbuluar nga një përgjim telefonik i ish-përgatitësit të portierëve të Ravenës, Nikola Santoni. Gjatë telefonatës, ai thotë se këta tre lojtarë “luajnë shuma të mëdha në baste, por askush nuk merret me ta, pasi janë shpallur kampionë bote”. Një fjali që ka mjaftuar për të njollosur imazhin e tre ish-kampionëve të botës. “Bufon luan 100-200 mijë euro në muaj. Bufon, Gatuzo dhe Kanavaro janë të sëmurë, por ata fituan Botërorin dhe prandaj nuk i gjen gjë”, thoshte Santoni në telefonatë. Në fakt, në momentin që plasi skandali i Calciopolit, emri i portierit të Juventusit u lidh menjëherë me bastet, por më pas gjithçka u la në harresë. Nikola Santoni sot u mor në pyetje nga ana e Prokurorisë për lidhjet e tij me mafian e basteve dhe në fakt, ai i shfajësoi tre lojtarët e mësipërm. “Ishin emrat e parë që më erdhën në mendje gjatë një bisede telefonike banale”, tha ish-përgatitësi i portierëve. Edhe avokati i Santonit, ka thënë se klienti i tij “nuk i njeh tre personazhet e përmendur dhe nuk ka asnjë fakt që t’i përfshijë ata në hetim”.
Prokuroria
Ndërkohë, edhe Prokuroria i ka shfajësuar tre futbollistët, Bufon, Kanavaro e Gatuzo. “Në këtë rast, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën me përmendjen e emrave të mëdhenj, ndodhemi para një situate që nuk e di nëse kjo ka ndodhur vetëm sa për të thënë, - deklaroi prokurori Roberto Di Martino. – Nëse një lojtar vë bast, është një fakt relativ, pasi mund të vlerësohet si vepër penale vetëm nëse ka lidhje me ndshjet e trukuara”, shtoi ai. Pra, me shumë mundësi kjo çështje do t’i kalojë drejtësisë sportive, e cila parashikon sanksione për futbollistët që merren me baste.
Federata
Presidenti i Federatës Xhankarlo Abete, pas publikimit të përgjimit që përfshinte Bufon, Kanavaro e Gatuzo, ka nxituar të deklarojë se ata nuk kanë shumë lidhje me hetimet. “Të vësh bast nuk do të thotë përfshirje në manipulime. Emrat objekt hetimi janë persona tashmë të pandehur dhe të larguar nga bota e futbollit, pasi në muajt e shkuar janë gjykuar nga drejtësia sportive, - deklaroi presidenti Abete. – Ndjeva një keqardhje të madhe për personat që janë përmendur në këtë histori. Nuk duhet të merremi me lajme dhe thashetheme që nuk meritojnë të përmenden as nëpër bare. Duhet të jemi të kujdesshëm kur hedhim baltë mbi imazhin, që këta njerëz e kanë ndërtuar për shumë vite”. Ndërkohë, agjenti i Fabio Kanavaros, Enriko Fedele, ka thënë: “Nuk ka asgjë për të pasur frikë. Nuk është asgjë e vërtetë, tani çdo person mund të thojë emra në ajër. Janë gjëra që nuk dua as t’i komentoj”, shtoi ai. “Ky është një proces mediatik, jo një proces normal, - tha presidenti i Palermos Mauricio Zamparini. – Në vendin tonë hetuesit bazohen në përshkrime dhe pastaj çdo gjë përfundon në televizion. Futbollistët e përfshirë? Janë katër tersa, sepse që kur kanë lindur bastet, futbollistët vënë baste”, shtoi ai.

Trapatoni: Bastet, një “vetvrasje” për Italinë
Xhovani Trapatoni ka komentuar sot skandalin e basteve që ka përfshirë futbollin italian, me Kristiano Donin që u arrestua. “Është një vetvrasje për futbollin italian, - deklaroi trajneri i Irlandës. – Jashtë vendit, ne trajnerëve italianë na quajnë mashtrues dhe fjala që përdorin më shpesh është mafia. Kristiano Donin e dija një djalë inteligjent, por më duhet ta rimendoj këtë. Në gjithë botën ekziston një rrjet i mafies së basteve, por në shumë vende lojtarët nuk vënë baste e s’trukojnë ndeshje”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›