Buhler: Dhunuesit e ligjit në veri, para drejtësisë

Komandanti i KFOR-it për Kosovë, gjenerali Erhard Buhler, ka deklaruar se përgjegjësit e ngjarjeve të dhunshme në veri të Kosovës do të përgjigjen para drejtësisë. Ai ka theksuar se KFOR-i është duke u angazhuar që të sigurojë gjendjen e qetë të sigurisë në veri, ashtu siç parashihet me marrëveshje, dhe krahas kësaj policia është duke bërë hetime që përgjegjësitë e vërtetë të protestave të dhunshme të nxirren para drejtësisë.
“Policia ka bërë përparime të mira dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim policinë për arritjen e këtij qëllimi”, është shprehur gjenerali Buhler gjatë vizitës në Viti. Ai ka takuar kryetarin e komunës si dhe liderët fetarë islamë dhe ortodoksë, me të cilët ka biseduar rreth situatës së sigurisë si dhe mbështetjes që KFOR-i dhe institucionet e tjera janë duke i dhënë një ambienti të sigurt.
Gjenerali Buhler ka informuar institucionet komunale edhe rreth transferimit të kompetencave për ruajtjen e vijës kufitare me Maqedoninë nga KFOR-i tek policia e Kosovës. Ky aktivitet u zhvillua gjatë muajit qershor. Ai i dha mbështetje iniciativës për hapjen e vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë në Debelldeh.