E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel Kosova parakusht i Serbise ne BE

Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë të qartë presidentit serb, Boris Tadiç, se rruga e Serbisë drejt BE-së, duhet të ecë sipas parimeve europiane. Deklarata e kancelares gjermane u bë gjatë takimit në Beograd. Ky qëndrim ishte i pritshëm, pasi Merkel u deklarua mjaft qartë për këtë çështje, që nga Zagrebi, ku qëndroi të hënën. Kancelarja gjermane kërkoi nga Serbia që të normalizoje raportet me shtetin kosovar. Ajo ka theksuar se në BE e duan integrimin e Ballkanit Perëndimor, por pasi shtetet të zgjidhin problemet mes vete.

“Për këtë duhet të përmbushet një parakusht, e një nga parakushtet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është Kosova. Dëshirojmë që marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve të normalizohen ngadalë, dhe që të normalizohet jeta. Nuk mund të kemi në Bashkimin Evropian vende që kur njëra vjen në tavolinë, tjera ngrihet dhe largohet. Kjo është e pamundur”- tha Merkel.

Ky mesazh, për analistët është ndër mesazhet më të qarta që një lider i Bashkimit Evropian i ka dërguar Serbisë në lidhje me Kosovën. Sipas tyre,

kjo siguron kosovarët që Serbia nuk do të hyjë në BE pa zgjidhur çështjen me Kosovën dhe rrjedhimisht nuk do të mund t’i shkaktojë pengesa rrugës evropiane të shtetit të ri.

Ndërkaq në Beograd, Merkel i ka kërkuar Tadiç se duhet të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se në të ardhmen duhet të shihen dhe rezultatet e këtij dialogu. Nga ana e tij, presidenti serb, tha se Serbia nuk ka asnjë iluzion se konfliktet mes shteteve në Ballkan, mund të barten deri në BE.

Juli Prifti
Azhornuar së fundi ( e martë , 23 gusht 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›