Dëshmia e Grubit
Lideri i Lëvizjes ZGJOHU!, Artan Grubi, zbardhi për agjencinë e lajmeve INA detajet e pjesëmarrjes së tij në misionin hetues të Tribunalit të Hagës në “Shtëpinë e Verdhë”, në fshatin Gurrë të Burrelit, në shkurt të vitit 2004. Sipas dëshmisë, del se në ‘Shtëpinë e Verdhë’ asokohe nuk qëndroi ministri shqiptar, Lulzim Basha, por Artan Grubi.
Shkup/Prishtinë, 26 dhjetor - Këtë dëshmi Grubi ia ka dhënë agjencisë së lajmeve INA. E në vazhdim, Express sjellë një pjesë së dëshmisë së tij.
Kam punuar në këtë institucion të Kombeve të Bashkuara nga tetori i vitit 2000 e deri më 31 dhjetor të vitit 2004. E ndjeja si obligim moral, ligjor dhe kombëtar që të paraqitem para jush, e nëpërmjet jush edhe para opinionit mbarëshqiptar dhe botëror, në lidhje me të ashtuquajturin raport të Dick Marty. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i brengosur nga trazirat e padrejta nëpër të cilat po kalon populli im, kudo që jeton, si dhe për etiketimet e padrejta që po i bëhen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - e nëpërmjet saj, edhe të gjithë shqiptarëve.
Në javën e parë të muajit shkurt të vitit 2004, i ngarkuar me detyrë nga Tribunali i Hagës dhe bashkë me një roje nga Finlanda, me dy vetura diplomatike mora rrugën për në Shqipëri. Atje u takuam me shefin tonë, hetuesin e Tribunalit të Hagës, që kishte arritur me aeroplan. Pasi që u takuam dhe u vendosëm në hotel, shkuam për darkë dhe aty takuam ekipin e mjekëve ligjor të UNMIK’ut, që udhëhiqej nga Jose Pablo Barybar. Më pas morëm rrugën për Burrel, e më vonë edhe për fshatin Gurrë, ku gjetëm të ashtuquajturën “shtëpinë e verdhë”. Atje vazhduam me hetime gjatë gjithë ditës. Nuk jam para jush që të mbroj asnjë person ose zyrtar, por për ta thënë të vërtetën, e cila edhe është thënë edhe më herët, megjithëse po bëhet shumë pak që ajo të zbërthehet.
Është absolutisht e pavërtetë se ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, ka qenë në fshatin Gurrë në fillim të shkurtit të vitit 2004, pasi unë isha i vetmi shqiptar atje, si shoqërues i ekipit zyrtar të Tribunalit dhe UNMIK’ut. Aty ishin edhe familjarët e shtëpisë dhe prokurori shqiptar, bashkë me shoqëruesit e tij. Po reagoj sot para jush duke parë që e gjithë kjo fushatë ka filluar me të pavërteta dhe duke parë që mediat, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera nuk po e përfillin faktin që ky hetim i kryer nga ana e Tribunalit të Hagës nuk gjeti asnjë dëshmi, dhe, rrjedhimisht, në mungesë të provave dhe dëshmitarëve nuk mund të ndërtohet rast - siç ka cekur për BBC edhe vet kryesuesi i Tribunalit për këtë rast në muajin maj të këtij viti. Edhe hetimet e tjera, siç u raportua, përfunduan me të njëjtin rezultat.