FAO zgjedh shefin e ri
Përfaqësuesit e Organizatës për ushqim dhe bujqësi (FAO) për herë të parë pas gati dy dekadash do të votojnë gjatë këtij vikendi për shefin e ri të kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.
Pasuesi i Zhak Diuf nga Senegali, i cili është në krye të FAO-s që nga viti 1993, zgjidhet në kohën e çmimeve të larta të ushqimit dhe mungesës së ushqimit në botë.
Për këtë post kandidojnë gjashtë kandidatë, por vlerësohet se lufta kryesore do të zhvillohet ndërmjet brazilianit Hoze Grasiano dhe spanjollit Migel Angel Mortinos.
Grasiano ishte përgjegjës për ushqim në Qeverinë e presidentit Luis Inasi
Lula da Silva, në të cilën ka ndihmuar për zbatimin e nismës “pa uri”, e cila ka ulur dukshëm mungesën e ushqimit në Brazil. Kohët e fundit ishte zyrtar i FAO-s në Romë, ku edhe ndodhet selia e kësaj agjencie.
Moratinos ka qenë shef i diplomacisë spanjolle deri në vitin 2010, si dhe emisar special i Bashkimit Evropian për Lindjen e Afërt.
Në kandidaturën e tij thuhet se Moratinos ka dyfishuar ndihmën e Spanjës për zhvillim jashtë vendit prej vitit 2004 deri 2010, me çka ky vend ishte donatori i gjashtë më i madh i programeve të Kombeve të Bashkuara për zhvillim.
Shefi i ri i FAO-s do të ketë detyrë të vështirë për të zvogëluar mungesën e ushqimit në botë, për shkak të çmimeve të larta të ushqimit dhe drojës nga përsëritja e trazirave sociale si rezultat i mungesës së ushqimit nga vitet 2007 dhe 2008.