Buja, vizitë në Zvicër
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Ramë Buja, po qëndron në një vizitë pune në Zvicër, ku të enjten është pritur nga ministri për Arsim dhe Kulturë i kantonit të Gjenevës, Charles Beer.
Ministri Buja e njoftoi ministrin Beer me situatën aktuale dhe zhvillimet në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Ministri theksoi se sot mund të thuhet se Prishtina është bërë një qendër universitare dhe akademike me renome evropiane, ku përveç shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë, ka edhe studentë nga Zvicra, nga vendet e BE-së dhe mbarë bota.
Ndërsa, ministri zviceran, ka pohuar se Gjeneva dhe Zvicra do të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin reciprok mes ministrive të arsimit, duke ndihmuar njëra-tjetrën, qoftë me ndërrim të studentëve, apo të kuadrove mësimore dhe shkencore të sferave të ndryshme.
I pari i arsimit të Gjenevës shprehu gatishmërinë, që të ndihmojë arsimin në Kosovë, por edhe në këtë kanton, ku mësimet i ndjekin një numër i konsiderueshëm i nxënësve nga komuniteti shqiptarë.
Ministrat Buja dhe Beer kanë deklaruar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjenevës, do të intensifikohet. Ministri Beer do ta vizitojë, së shpejti Kosovën, me ftesë të ministrit Buja.