E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Himçi: Kur Berisha e Nano shpëtonin njëri-tjetrin

Nga

Për herë të parë, mbas shtatë vjet heshtjeje flet Bujar Himçi. Ish-zëvendësministri i Rendit i dënuar për tenderin e pasaportave, sot në prag të pafajësisë së plotë akuzon Nanon dhe Berishën si shkaktarë të dramës së tij. “Nuk do të më “falnin” që për të dy, kur isha prokuror, kam kërkuar vendosjen e tyre nën akuzë penale. Berisha, si organizator i kryengritjes së armatosur në shtator 1998, Nano për braktisje detyre”, - thotë Himçi. Juristi i vjetër analizon dhe koncesionin e letërnjoftimeve dhe pasaportave të reja dhe e konsideron atë si një superskandal

I ka provuar të gjitha në jetë, majat dhe rroposjen në qeli. Ka provuar duartrokitjet për profesionalizmin e tij si jurist, ka udhëhequr hetime nga më delikatet në krye të organit të akuzës, por e shndërruan në “klient” të prokurorisë. E akuzuan se kishte shpërdoruar detyrën duke vjedhur dy milionë dollarë, të cilët as nuk kishin dalë nga buxheti i shtetit, por në fakt, shkresat e firmosura nga ai i dhanë shtetit 200 milionë dollarë në pak vjet. E arrestuan në aeroportin e Rinasit, sapo kishte përcjellë avionin me homologun e tij italian, që kur mbërriti në bregun e përtejmë të Adriatikut për të raportuar gatishmërinë e palës shqiptare për intensifikimin e luftës së përbashkët kundër krimit, mëson se njeriu me të cilin ishte ndarë një orë më parë, ishte arrestuar si kriminel i rëndomtë. Shtatë vjet më pas, edhe një ndjekës jo fort i vëmendshëm i shtypit do të kujtohej se për cilin personazh bëhet fjalë. Është Bujar Himçi, ish-zëvendësministër i Rendit që u arrestua në vitin 2002 për një krim që nuk pranon se e ka kryer, për një krim për të cilin është në prag të marrjes së plotë të pafajësisë; shkeljen e barazisë në tenderë në përgatitjen e pasaportës ndërkombëtare, i cili megjithatë, sot dëshmon dhe akuzon për një krim tjetër në një proces të ngjashëm: grabitjen e rreth 170 milionë eurove në procesin e prodhimit të letërnjoftimit dhe pasaportës biometrike. Për Himçin janë dy politikanë, dy nga politikanët më të fuqishëm të vendit në këto 18 vjet, që qëndrojnë pas akuzës ndaj tij. “Nano dhe Berisha”, - thotë ai.

Në një intervistë të gjatë për revistën “MAPO”, të parën mbas një heshtjeje të gjatë shumëvjeçare, Himçi nuk ka mllef. Flet qetë dhe pothuaj për gjithçka. Për të shkuarën e tij, për raportet e vështira me politikën që ndërhynte në profesionin e dhënies së drejtësisë, për Berishën dhe Nanon, për vitin 1997 dhe grushtin e shtetit të një viti më pas, për arrestimin e të gjashtëve të PD në gusht 1998, flet dhe për inkurajimin që i ka dhënë e njëjta “ikonë” e shpresës demokratike në Shqipëri, SHBA. Megjithatë, Himçi i prek të vërtetat e tij nga larg dhe nga lart; shumëçka nga detajet e fshehura thellë në kujtesën e tij dalin pak në sipërfaqe dhe më shumë se direkt, intervista e tij lexohet për të pathënat e saj, për të kuptuar se sipas tij, e liga e madhe e këtij vendi nuk janë njerëzit e tij, por pikërisht ata, që në emër të votës e kanë drejtuar vendin në mënyrën më të keqe të mundshme. Për momentin, ish-i burgosuri Himçi ushtron profesionin e avokatit. Një nga klientët e tij të fundit është një kolegu i tij jurist, i marrë si i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, te pafajësia e të cilit ai beson jo vetëm si avokat. “Vetëm politikës sonë nuk do të pranoja kurrë t´i bëja avokati. Më besoni, e ka fajësinë të garantuar. Nëse nuk i jepet sot, nesër fëmijët tanë do ta qortojnë atë dhe do ta konsiderojnë edhe mëkatare, edhe qesharake”, - thotë Himçi, i cili pranon të intervistohet nga “MAPO”. Flet shtruar dhe pi duhan gjatë gjithë kohës. “I vetmi ligj që kam shkelur në jetën time është se ndez cigare dhe në ambiente publike. E di që kështu do të jetë dhe nesër”, - bën humor të zi Himçi. Megjithatë, nxiton. Dy burra të thyer në moshë dhe një grua e presin prej kohësh përpara zyrës. Kanë një proces civil për pronën që pretendojnë se e kanë humbur pa të drejtë. “Kemi besim te Bujari, i drejti nuk bëhet kurrë i shtrembër, të paktën do të na qetësojë dhe, nëse na takon vërtet, do të bëjë të pamundurën për të drejtën tonë”, - thotë gruaja.

Vetë Bujar Himçi i përgjigjet “MAPO”-s:

Keni punuar gjatë në Prokurorinë e Përgjithshme, një detyrë të cilën e nisët mbas vitit 1997. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Sot më duket sikur ka kaluar një shekull. Jo në kuptimin e asaj çfarë ka ndodhur me mua, por me atë që rëndoi mbi të gjithë këtë popull. Ndonjëherë më ngjan si një ëndërr e keqe ai vit i marrëzisë kolektive, por fatkeqësisht një ëndërr që e jetuam të zgjuar në ankthe dhe makthe, pasojat e cilave do t´i vuajmë shumë më gjatë se sa mendojmë. E gjithë struktura e shtetit kishte rënë, nuk kishim polici e ushtri, nuk kishim gjykata dhe prokurori. Ishim ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kishim as të burgosur, të cilët kishin “rifituar” vetë lirinë, por kishim pothuaj një milion automatikë në duart e popullatës dhe shumë urrejtje mes njëri-tjetrit, kishim dhjetëra e qindra banditë që bënin ligjin në tokën ku ligji ishte në agoni. Atë kohë mora detyrën e shefit të zyrës së luftës kundër krimit të organizuar. Duhen ditë-net për të treguar se çfarë sakrificash janë bërë atëherë për rilindjen e shtetit. Edhe një fëmijë vjen në jetë mes dhembjesh të paimagjinueshme; mendoni se si duhet të jetë kjo dhimbje, kur lind nga gërmadhat një shtet. Po ju tregoj vetëm një episod: atëherë nuk kishim as dhoma izolimi për kriminelët që mund të arrestonim. Në mungesë të tyre, në bashkëpunim me fqinjët tanë italianë nxorëm dhe publikuam listat e personave më të kërkuar mes të shumëkërkuarve. Të trembur nga ky fakt, ata u arratisën në Itali, ku ranë në rrjetën e policisë italiane që i arrestonte për llogari të shtetit shqiptar.

Por shumë shpejt, në harkun e një viti, Shqipëria ndeshet me situata gjithashtu shumë të rënda. Në gusht 1998 arrestohen “të gjashtët e PD”, vrasja e Azem Hajdarit më 12 shtator dhe grushti i shtetit dy ditë më pas. Shumë, për një vend të traumatizuar?

Në atë situatë kaosi, ndërsa përballeshim me krimin e rrugës, ne duhej të hetonim edhe për ngjarjet e marsit 1997. Isha prokuror në grupin hetimor. Sot pakkush, kur bën retrospektivë, kujton se kishim një denoncim dhe një vendim të Kuvendit që miratonte konkluzionet e komisionit hetimor parlamentar për ato ngjarje. Në këto konkluzione implikoheshin shumë politikanë të opozitës së asaj kohe, një pjesë e të cilëve, madje edhe deputetë. Para këtij fakti të kryer, ne na mbetej vetëm të hetonim legalisht atë që ishte një parahetim politik. Mbas tre-katër muajsh pune intensive, mbas grumbullimit të materialeve - dua të them se vetëm ministria e mbrojtjes i përgjigjej atëherë kërkesave tona dhe asnjë institucion tjetër - arritëm në dilemën: të vazhdonim hetimin ndaj personave që i konsideronim të inkriminuar apo të kërkonim heqjen e imunitetit të deputetëve të përfshirë në një mënyrë apo një tjetër në atë histori të zezë. Zgjodhëm variantin e parë, u arrestuan gjashtë të parët, të gjithë pranë Partisë Demokratike. Bëmë detyrën, pa ditur se shkopinjtë e parë nën rrota dhe në lëkurë i morëm po nga politika. Deklarata e parë e dhënë nga Maqedonia prej ish-kryeministrit, Nano, ishte se ai nuk kishte dijeni për atë çfarë kishte ndodhur dhe për më shumë, çuditërisht kërkonte “ngrirjen e procesit të të gjashtëve”. Gjatë kësaj kohe opozita reagoi shumë ashpër dhe më pas ngjarjet precipituan shumë rrezikshëm për gjithë Shqipërinë dhe fatin e demokracisë, vrasja e deputetit Hajdari dhe sulmi ndaj institucioneve e pushtimi i tyre me armë e tanke. Më besoni, në ato kohë pothuaj e vetmja shpresë për rikthimin e legjitimitetit, na ka ardhur nga SHBA, qeveria e së cilës deklaroi se nuk “...do të njihte asnjë qeveri të ardhur në pushtet me rrugën e dhunës...”.

Përmendni shpesh politikën, cili ka qenë raporti juaj me dy politikanët më të fuqishëm të kohës, Nano dhe Berisha?

Si prokuror dhe përgjegjës i grupit hetimor kisha shpallur akuzën publike ndaj zotit Berisha, si organizator i kryengritjes së armatosur, një akuzë që ishte përcjellë me kërkesën tonë për heqjen e imunitetit të tij. Por në të njëjtën kohë, kisha shfaqur hapur në instancat përkatëse edhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë penale ish-kryeministrin Nano nën akuzën për braktisje të detyrës dhe të institucionit të kryeministrit. Në atë kohë, vetë zoti Nano dhe të tjerë pranë tij ishin shprehur: “...askush nuk kishte të drejtë t´i jepte fund jetës së tij (Nanos), kjo ishte anakronike, përveçse e ligë dhe e poshtër...”. Si jurist, dje dhe sot, do të thosha se edhe sikur të tentohej një gjë e tillë, do të ishte një akt i pastër terrorist. Por shteti i asaj kohe, e përsëris, i kishte të gjitha mundësitë e mjetet të garantonte jetën e kryeministrit të tij, që në vend se të qëndronte në vend, u largua prej tij. Në ato ditë të frikshme, edhe ndaj familjes sime u bë një atentat me eksploziv, por kjo është tjetër histori, historia e pandryshueshme është që politika edhe një gjë të tillë e konsideroi rutinë dhe mbas kthimit të ish-kryeministrit nga arratia në Maqedoni, zoti Nano “interesohej” në Prokurorinë e Përgjithshme që të zbutej një deklaratë e grupit hetimor ndaj zotit Berisha. Të dy këta politikanë, që flisnin e flasin gjithë ditën për shtetin e të drejtës, nuk ju përgjigjën kurrë thirrjes për të dëshmuar në prokurori e gjykatë duke dëshmuar shembullin e politikanëve të mbrapshtë, të kompromentuar në atë konflikt të armatosur me pasoja katastrofike për të djeshmen dhe të sotmen e vendit duke servirur, modelin e keq të mosnjohjes së institucioneve të ligjshme të vendit.

Duke ju rikthyer pas në kohë, çfarë mund të bëhej ndryshe për ndëshkimin e asaj veprimtarie që ju e quani krim, por që shpëtoi nga vënia në bankën e të akuzuarve?

Dua t´ju siguroj dhe njëherë se grupi hetimor në atë kohë punonte me sy të verbër sepse shihte me sytë e ligjit, vepronte me duar të lidhura sepse e kishte penguar politika e mbrapshtë. Në atë kohë ne nuk mund të dinim se, ashtu siç po del qartazi sot, se zoti Nano kishte marrëveshje me homologun e tij, zotin Berisha për moshetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Të gjithë ne prokurorët e asaj tragjedie, jemi akuzuar nga zoti Nano si prokurorë të instrumentalizuar nga persona të caktuar brenda të majtës për ta goditur atë direkt. Pesë vjet më pas, mbas marrëveshjes së tyre, kësaj here publike në 2002, ju mund të kujtoni se si u interpretuan dhe vlerësuan faktet nga komisioni hetimor parlamentar për SHIK dhe se çfarë drejtimi donte t´i jepte ngjarjeve të shtatorit 1998 vetë zoti Nano. Duke shfajësuar fajtorin Berisha, ai fajësoi direkt ish-kreun e SHIK, Fatos Klosi. Për ironi të rrethanave, në atë kohë unë isha arrestuar për “skandalin” e pasaportave.

Pse në atë kohë ju nuk kërkuat përfshirjen e Kuvendit në proces, ose duke kthyer materialin e servirur prej tij, ose duke kërkuar heqjen e imunitetit të personave nën dyshim e akuzë?

Ky është një gjykim mbas daljes në dritë të të vërtetave që ju thashë për marrëveshjet periodike Nano-Berisha. Atë hetim e hodhi në erë politika dhe politika u bë avokati që e ndihmoi të kalojë lumin e qelbur të krimit. Me një avokati si ajo që ndodh sot edhe nëpër gjykata, politika ishte sekser për fajtorët që paguanin e paguan në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër, po ju them një tjetër fakt: asnjë nga prokurorët e djeshëm që ishim bashkë në grup, sot nuk është në detyrë. Që atëherë dy prokurorë të përgjithshëm janë shkarkuar nga detyra, vetëm sepse kështu diktoi politika.

Në vitin 2000 ju emëroheni zëvendësministër i rendit, në qeveri kishte ardhur Meta, një kritik i hershëm i zotit Nano. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Kujtimet janë të shumta. Ato janë të dokumentuara dhe mund të them se ishte një nga periudhat më të ngjeshura në luftë kundër krimit dhe rivendosjes së plotë të normalitetit në vend. Nuk besoj se jam personi i përshtatshëm të flas për suksese, në të cilat, modestisht, kam pasur fatin e madh të afroj kontribut gjithashtu modest. Nuk më pëlqejnë duartrokitjet, edhe pse në shumicë ato vinin sa nga njerëz të thjeshtë, po aq dhe nga institucionet homologe të vendeve partnere, si SHBA, Italia, Gjermania e gjetkë.

Një vit më pas ju përfundoni dhe vetë nën akuzë, konsideroheshit fajtor në tenderin e pasaportave, u arrestuat, u burgosët dhe tani jeni në prag të marrjes së pafajësisë së plotë. Vetëm një trill i fatit?

Nuk ishte vetëm fati, por dhe hakmarrja njerëzore e njerëzve të veshur me pushtet, e luftës për pushtet brenda llojit, e zhvilluar madje në një mënyrë të paimagjinueshme dhe shumë e shumë faktorë të tjerë. Megjithatë po ju them fjalinë që doja ta thosha në fund: akuza ndaj meje ishte një mal i mbarsur me shumë mllef e urrejtje që nuk mundi të pjellë as një miush të shëmtuar. U arrestova në Rinas, kur sapo kisha përcjellë homologun tim italian. Kisha në ngarkim tri akuza të rënda: vjedhje me anë të shpërdorimit të 2.2 milionë dollarëve, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shkelje të barazisë në tenderë. Një detaj: asnjë qindarkë nuk kishte dalë nga Banka e Shqipërisë, me dokumentet e firmosura nga unë e njëjta kompani prodhoi pasaportën që sot është ende e vlefshme, vlera e tenderit u rrit më pas edhe me 30 për qind, u shtua dhe numri i pasaportave të porositura dhe mbi të gjitha, nga ajo veprimtari, shteti mundi të arkëtojë një vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh në buxhet.

Sot, kur akuzat e para kanë rënë dhe është në rënie e sipër dhe akuza për shkelje të barazisë në tenderë, jam unë që akuzoj: bëj përgjegjës Sali Berishën, i cili natyrisht nuk do të më “falte” vendimin që kisha firmosur për heqjen e imunitetit të tij, siç nuk do të ma “falte” as Nano kërkesën për marrjen e tij nën përgjegjësi penale. Nuk dija edhe se shumë nga të akuzuarit për grusht shteti në 1998, do të shndërroheshin në deputetë të Kuvendit. Ky është ndoshta vendi i vetëm në botë, që në hierarki shoqërore e morale, nderon dhe vlerëson ende kriminelë dhe trajton si kriminelë njerëzit që i shërbejnë ligjit. Dhe ky nuk është vetëm problemi im, ky është një hall i madh kombëtar, është një sëmundje që virusi i pseudodemokracisë dhe pseudopluralizmit të deformuar që jetojmë e ka injektuar në shoqërinë shqiptare.

Sot, jemi përpara një procesi të ngjashëm, por prodhimi i pasaportës së re dhe letërnjoftimit është dhënë me koncesion. Sa dallojnë dhe ku ngjasojnë këto dy procese?

Dallojnë esencialisht mes tyre, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje. Në rast se në tenderin e vitin 2001 kishte shumë ndjeshmëri publike dhe opozita e kohës akuzonte ditë-natë për korrupsion, sot media pothuaj hesht, kurse opozita është e shqetësuar vetëm për faktin nëse do të vonohen apo jo letërnjoftimet për zgjedhjet e pritshme.

Dallojnë: në rastin e parë, tenderi ndërkombëtar që nxori fituese kompaninë gjermane me çmimin 9 155 579 dollarë, nga të cilat, 20 për qind iu rikthyen shtetit për shkak të TVSH, i solli shtetit shqiptar një fitim prej 209 milionë dollarë. Në rastin e dytë, kompania që ka fituar koncesionin, me një investim në shifra minimale për koston e prodhimit dhe pajisjet që do të përdorë, do të fitojë rreth 170 milionë euro, të cilat do t´i mungojnë buxhetit të shtetit. Jo vetëm kaq, por kompanisë do t´i falet me ligj edhe vlera e 20% të TVSH.

Dallojnë: në rastin e parë të gjitha të dhënat për shtetasit shqiptarë nga aplikimi i tyre ishin pronë e shtetit shqiptar, në rastin e dytë, ato, të dhënat e personalizuara për çdo shtetas duke shtuar deri dhe gjurmët e gishtërinjve, do të jenë minimalisht edhe në “kasafortat” e kompanisë së huaj.

Dallojnë: sepse në koncesionin e dhënë nga qeveria Berisha, institucione të ndryshme shtetërore bëjnë shërbenjësin e thjeshtë dhe sekserin e kompanisë së huaj.

Dallojnë: në rastin e parë u arrestua një zëvendësministër, një drejtor policie e të tjerë, në rastin e dytë, në këtë superskandal ende nuk ka asnjë hap të hedhur për të zbardhur se pse dhe si, shteti shqiptar, lexo zyrtarët e tij, vendosin të heqin dorë kaq lehtësisht nga paratë që i takojnë shtetit shqiptar.

Ju mendoni se jemi përballë një superskandali?

Dhashë vetëm disa konsiderata të përgjithshme në lidhje me dëmin ekonomik dhe cenimin e të dhënave personale të shtetasve dhe cenimin e sigurisë kombëtare. Po të hyjmë fare pak më thellë, do të shihnim se në kuptimin e ligjit për koncesionet, asnjë nga elementët e nevojshëm për të dhënë një punë publike me koncesion, nuk ekziston. Procesi as nuk ka pasur nevojë për investim në vlera të mëdha që shteti nuk mund ta përballojë dot vetë, as nuk ka risk të lartë vetëshlyerje dhe as nuk ka vetëshlyerje të zgjatur në kohë. Duke thënë se ky proces as nuk duhej të jepej me koncesion, besoj se i kemi thënë të gjitha të tjerat. Nuk dua ta personalizoj problemin, edhe pse jam shumë i ndjeshëm në këtë pikë. Dosja ime sot ndodhet me një akuzë, që ndryshe nga sa u trumbetua, është reduktuar në mënyrë qesharake. Ajo ndodhet në Gjykatën Kushtetuese në pritje të vendimit të saj. Besoj në atë trupë ët lartë jo duke u nisur thjesht dhe vetëm nga emrat konkretë, por dëshiroj të besoj se në këtë botë ka një fund edhe e liga, besoj se ligji nuk është si çorapet që mirë apo keq i rrinë puthitur çdo këmbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›