Një striptist nga Teksasi dhe një regjisor nga Tirana
Kujtim Çashku nuk e ka fatin e Nazarit. Nazari, ose siç i thërret Fatmir Mediu, Nick, është një biznesmen i suksesshëm i disa klubeve të striptizmit në Teksas të
SHBA. Ka, mos gaboj, katër prej tyre. Është një burrë i mirë, babaxhan, bujar me shqiptarët në nevojë dhe i dhënë pas qejfit. Emri i tij i vërtetë është Nazar Mehmeti. Është me origjinë diku pranë kufirit me Shqipërinë, nga pjesa që sot është në Maqedoni, ka dhe një lidhje të largët fisnore me Ridvan Boden. Por në Shqipëri e njohin të gjithë si vëllai i Fatmir Mediut. Është një mik i vjetër i tij, ndoshta prej vitit 1993. Ka qenë sponsor bujar i tij dhe nuk është se ka nevojë të fitojë diçka prej Mediut. Ka qenë mikpritës i shumë politikanëve shqiptarë, kur shkojnë në SHBA dhe duan të vizitojnë ndonjë klub nate në Teksas, dhe natyrisht njeriu që e kishte mani t’i pasuronte gardërobën Mediut, sa herë që gjendej në SHBA. Ne që na bie shpesh puna të ulemi me Fatmir Mediun s’e kemi takuar ndonjëherë, por i dimë gjithë historitë e tij përmendësh prej Fatmirit. Dimë dhe hallet që mund të ketë familja e tij, nëna, motra, xhaxhai, kunati, baxhanaku, gjithkush. Fatmir Mediu t’i tregon këto me dhunë, po u ule në një tavolinë me të.
Nazari është njeriu që Fatmir Mediu ia jep në telefon Berishës, Nanos, Ramës, Metës, Majkos, dhe ku di unë kush tjetër shkon ndonjëherë në Mëngjesin e Lutjeve. Është pra, si të themi, vëllai amerikan i Fatmir Mediut. Dhe është burrë shumë i mirë.
Dosja që boton sot gazeta “TemA”, nxjerr në publik emrin e tij. Fatmir Mediu, pasi i ka krijuar gjithë lehtësitë një biznesmeni nga Berati(?), qytet me të cilin atë e lidh incidenti i ndalimit dhe dënimit në Milano, nën shoqërinë e një trafikanti në kërkim,
dhe pasi ky biznesmen nga Berati ka krijuar një shoqëri me disa biznesmenë turq, duket se ka kërkuar pjesën e tij. Kushdo e mban mend se, kur ky spital filloi të ndërtohej, mjekët dilnin në protesta dhe kërkonin t’iu lironin sallën e kirurgjisë, që ata kishin
zaptuar. Për gati një vit e ca ata paralizuan punën në Spitalin Ushtarak, thyen gjithë kontratat që kishin formalisht me Mediun dhe njerëzit e tij dhe u bënë aty si zot shtëpie.
Kur puna shkoi mbarë dhe Mediu e bëri detyrën e tij si lobist, ata i kanë kaluar 5 për qind të aksioneve Nazarit. Shpresoj që Nazari të ketë ardhur deri në Tiranë për të firmosur këtë bezdi që ia ka kërkuar Mediu. Por, shihet qartë se për t’ia lehtësuar punën dhe besimin, Mediu ka zgjedhur motrën e tij si notere. Dhe kështu ka marrë pjesën që i takonte nga pushteti.
Në maj të vitit 2008, kur kishte një muaj i dorëhequr nga ministër i Mbrojtjes, ka ndodhur dhe transaksioni i dytë. Nazari së bashku me aksionerët e tjerë i kanë shitur aksionet e spitalit te një shoqëri anonime holandeze. Nuk jam shumë i sigurt cilët janë këta holandezë, por kjo mund të jetë objekt kërkimi herë tjetër. Ndërkohë që holandezët e blenë, kompania nën lobimin e Mediut mori oborrin e pasmë të qendrës spitalore ushtarake dhe ndërtoi një spital të ri duke rimarrë dhe mjedise ekzistuese. E gjitha është biznes privat i pastër, dhe jo akreditim i ndonjë spitali të njohur. Biznesmenët që kanë themeluar shoqërinë, nuk e kanë farë në objektin e shoqërisë veprimtarinë spitalore. Thjesht kanë marrë mjekë me pagesë nga Turqia, kur u janë dashur për reklamë dhe kanë vazhduar punën. Është biznes i tyre dhe s’dua t’iu bie më qafë. Ajo që dua të theksoj është mobilizimi i shtetit për të prishur pronën e vet dhe biznesin e vet në favor të tyre.
Në skajin tjetër të Tiranës, këto ditë po përjetohet një dramë tjetër. Kujtim Çashku, regjisori më i njohur shqiptar i filmit bashkëkohor, po prodhon një histori të re jofilmike të dhunës së shtetit ndaj një njeriu që nuk e pëlqen kryeministri. Arsyeja është se ai është prishur me kryeministrin dhe megjithëse ka investuar paratë e taksapaguesve perëndimorë (jo të ndonjë mirditori) aty, ka shkuar një skuadër policësh dhe i kanë shkatërruar investimet. Askush nuk do që ta zhvillojë atë biznes që nderon Shqipërinë. Askush nuk do të pyesë ç’do bëhet me ata studentë që vazhdojnë atë shkollë. Askush nuk do t’i thotë faleminderit Çashkut për atë që ka bërë për vendin e tij. Një drejtor bashibozuk, nga ata që kanë prerë gjysmat e pishave të Golemit, i është turrur me rrjeta teli dhe kazma për t’i prishur gjithçka. Dalin dhe ca servilë të qeverisë dhe thonë që s’ka paguar taksa, ndërkohë që problemi nuk qëndron fare aty. Gazeta ime i ka paguar taksat, qiranë dhe gjithë kontratën, por prapë kryeministri e ka nxjerrë në rrugë dhe këta servilë kanë heshtur. Pra, arsyeja është se atë regjisor nuk e do kryeministri dhe po ia shkatërrojnë pasionin e tij vetëm për t’u hakmarrë. Kujtim Çashku nuk e ka fatin e biznesit që luhet në emrin e Nazarit në Spitalin Ushtarak. Nuk e ka, se nuk ka mik Fatmir Mediun, Shkëlzenin, madje as Frangajn s’e paska. Dhe për këtë do ta pësojë. Do t’ia vrasin ëndrrën e tij për një shkollë filmi në Shqipëri. Dhe do ta vrasin duke e poshtëruar në emër të shtetit ata njerëz dhe ata servilë që po poshtërojnë pronat e shtetit për interesa private të Fatmir Mediut. Po ta dinte Kujtim Çashku si bëhen pará, dhe si duhet të jesh mik me qeverinë, duhet të hapte klube striptiste në Kinostudio, të zinte mik Fatmir Mediun dhe pastaj ndoshta i ecte. Biznesi natyrisht, se pasion s’do kish gjëkundi. Është diferencë e madhe se si në Shqipëri respektohet një biznesmen i klubeve të seksit dhe një regjisor modern i filmit shqiptar.