E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimin e pronës e pengojnë politikanët që duan të bëhen pronarë të bregdetit

Nga Niko Nesturi, Kryetar i shoqatës atdhetare-kulturore “Bregdeti”

Mesazh drejtuar ambasadores së Bankës Botërore, zonjës Nuamah, kryeministrit, Sali Berisha, dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode

Siç kemi bërë publike në shumë shkrime të mëparshme, por të pavlerësuar nga ana juaj, ne ju kemi bërë thirrje shqiptarëve në emigracion të sensibilizojnë instancat ndërkombëtare për grabitjen e organizuar që politikanët shqiptarë po bëjnë me pronat turistike. Skandali me plazhin e Jalës, që shpërtheu nga një letër që iu drejtua direkt drejtorit të Bankës Botërore (BB), është vetëm fillimi që do të demaskojë grabitësit e bregdetit turistik. E vërteta sapo ka filluar të dalë në sipërfaqe, sepse skandali i Jalës është vetëm një rast nga ai mal i madh i një megakorrupsioni të përbashkët të politikanëve shqiptarë dhe Bankës Botërore. Përfaqësia e Bankës Botërore në Tiranë ka gabuar rëndë dhe jo vetëm zonja Nuamah si ambasadore aktuale, por dhe pararendësit e saj kanë bërë veshin e shurdhër ndaj kërkesave të kryesisë së shoqatës “Bregdeti”. Ne kemi kërkuar shumë e shumë herë që bashkëpunimi dhe komunikimi i Bankës Botërore me qeverinë shqiptare të ketë si parakusht që të mos dhunojë të drejtën e shtetasve për pronën. Ambasadorja e BB pranon si gabim miratimin e dhëndrit të kryeministrit Berisha si drejtues të projektit për zhvillimin e turizmit. Kjo është të përpiqesh të fusësh minaren në thes ose t’u hedhësh pronarëve hi syve. E vërteta është ndryshe, zonja Nuamah. Ne, shoqata “Bregdeti”, ju kemi kërkuar që projekti juaj të ketë si kusht paraprak kthimin e pronës tek i zoti.

Deri më sot, zonja Nuamah dhe pararendësit e saj kanë heshtur ndaj ankesave tona të përsëritura që financimet e BB të mos favorizojnë politikanët, që po grabisin pronat tona. Me zonjën Nuamah kryesia e shoqatës “Bregdeti” ka zhvilluar takime dhe formalisht jemi pritur me shumë mirësjellje prej saj. Në një nga takimet e fundit, përpara shpërthimit të skandalit të Jalës, kryesia e shoqatës veç të tjerash i deklaroi ambasadores së BB se, për sa kohë qeveria shqiptare nuk kthen pronat tek i zoti, por e disponon bregdetin sipas interesave klanore dhe pa respektuar titujt e pronësisë, të gjitha paratë dhe projektet që miratohen në emër të zhvillimit të turizmit ne do t’i denoncojmë si pará vrasëse. Zonja ambasadore le të ketë mirësinë t’i rivlerësojë dhe t’i pohojë këto takime dhe letrat e shumta që i janë drejtuar dhe t’i deklarojë këto në shtyp, së bashku me planin që ne i kemi dorëzuar lidhur me radhën e punës për veprimet për respektimin e të drejtës së pronës konform parimeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, detyrimeve kushtetuese dhe zgjidhjeve që ne i kemi propozuar. Kthimi i pronës tek i zoti dhe jo demagogjia me kompensime, janë e vetmja zgjidhje, në mënyrë që të marrë fund përkrahja dhe financimi ndërkombëtar i kamufluar me ndërmjetësinë e BB dhe FMN, i katrahurës dhe i anarkisë së pronës. Pavarësisht nga hartimet e bukura të politikanëve të djathtë apo të majtë deri sot, dallojmë situatën e mosdashjes për të zbatuar parimin themelor të një shteti demokratik, atë të respektimit të së drejtës së shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar dhe politika 18-vjeçare kundër pronarëve të ligjshëm vazhdon edhe sot. Kryeministri Berisha prej 18 vjetësh po insiston në linjën e tij si kundërshtar i pronarëve të ligjshëm, ndonëse është kritikuar rëndë për anarkinë e pronës, jo vetëm nga ne për mosmbajtjen e fjalës dhe të premtimit për të na udhëhequr në demokraci, por është kritikuar publikisht edhe nga ambasadori i britanik, gjerman, francez, OSBE, nga ambasadori i KE dhe së fundi edhe nga raporti i Departamentit amerikan të Shtetit. Kjo flet qartë për qëndrimin konsekuent antipronar të politikanëve shqiptarë dhe se zgjidhja e problemit të pronës realizohet vetëm nëpërmjet kushtëzimit nga faktori ndërkombëtar. Kryeministri Berisha çuditërisht vazhdon të deklarojë kompensim, kur duhet të respektojë titujt e pronësisë, të çlirojë pronat e zaptuara nga kthetrat e politikanëve dhe më parë duhet të përfundojë kthimin fizik. Nëse pronarët tiranas, lushnjarë apo gjirokastritë do të kompensohen në bregdet, po ne, bregdetasit, ku do të na shpërngulin këta politikanë? Mos vallë ne, bregdetasve autoktonë, duan të na çojnë në majë të Tomorit e të Korabit dhe pas kësaj ne të punësohemi kamerierë në bar-restorantet që ata kanë filluar të ndërtojnë në bregdet? Nëse BB mbështet këtë platformë, edhe ne e deklarojmë se ajo është një shpërdoruese e parimeve bazë të demokracisë. Kush duhet t’i thotë “Ndal!” kryeministrit dhe qeverisë shqiptare që insiston të vazhdojë të shkelet neni 181 i Kushtetutës? Nuk e dimë, nëse reagimi për shkeljen flagrante të Kushtetutës i përket Presidentit të Republikës apo Prokurores së Përgjithshme. Si mund të flitet për kompensim, kur akoma nuk ka përfunduar kthimi i trojeve të lira? Përse policia ndërtimore prish ndërtimet me leje ose edhe ato që mund të kanë qenë pa leje, por që pronarët i kanë ndërtuar mbi trojet e veta dhe kryeministri ka heshtur ndaj kërkesave tona të shumta që policia ndërtimore të zbatojë ligjin dhe të shembë ndërtimet pa leje të kryera nga politikanët dhe personat e mbështetur prej tyre që nuk kanë të drejtë pronësie për truallin e zënë në mënyrë të kundërligjshme? Zoti kryeministër nuk ka dhënë asnjë përgjigje për 12 kërkesat që i kemi paraqitur për zgjidhjen definitive dhe pa shpenzime të problemit të pronës dhe as për kërkesat e Rezolutës së Kuvendit Mbarëbregdetar. Kjo strategji e politikës antipronar dhe antishqiptare pas vitit 1991, e kombinuar me heshtjen e zgjatur të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë ndaj ankesave tona e ka nëpërkëmbur më shumë popullin punëtor, patriot dhe paqedashës të bregdetit. Gjithsesi, kritika e Departamentit amerikan të Shtetit ndaj mosrespektimit të së drejtës së pronës private të trashëguar, ndonëse shumë e butë, e detyroi zotin Berisha të shprehet i gatshëm për zgjidhje. Dihet botërisht se as politikanët as dhe drejtuesit e projektit që BB financon, nuk janë pronarë ose trashëgimtarë të pronave tona. Sot dëgjuam nga ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, që i kërkon Bankës Botërore vazhdimin e projektit. Ne përsëri iu themi “Ndal!”, pasi, për sa kohë nuk është kthyer prona tek i zoti, këto janë justifikime që favorizojnë mafien e trojeve turistike.

Ne, si shoqatë “Bregdeti”, jemi të gatshëm që në prani, me garanci dhe me ndërmjetësi të përfaqësisë së KE në Tiranë, zotit Helmut Lohan, të paraqesim edhe njëherë zgjidhjen definitive dhe pa faturë financiare të pronës në zonën turistike, duke filluar me argumentet juridike dhe projektligjin përkatës. Miratimi me procedurë të shpejtuar i këtij projektligji do të plotësojë njëkohësisht edhe kërkesën e ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, që t’i hapet rrugë projektit të zhvillimit të turizmit dhe do të lehtësojë shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut të bërë nën emrin e Bankës Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›