Përse Çashku nuk ka të drejtë
Çdo mëngjes, përpara se të shkoj në punë, kur kaloj përkrah kopshtit të përçudnuar dhe të zhveshur nga simbolet kinematografike të akademisë “Marubi”, e kuptoj që Kujtim Çashku nuk ka pasur të drejtë.
Sa herë më kujtohet ajo vizitë e para do kohëve në ambientet e kësaj akademie, kur Çashku me pasionin e një njeriu anormal më tregonte për çdo kthinë të saj, vazhdoj të mendoj se ai nuk ka pasur të drejtë.
Sa herë që miq të mi vazhdojnë të më kujtojnë filmat kult të shfaqur të enjteve në mbrëmje, them se ai e ka pasur gabim.
Aq më tepër më përforcohet ky mendim, kur ndjek në shtyp polemikën, për qira, metra katrorë, pará të papaguara, kontrata të shkelura.
Po, po, në fakt, Kujtim Çashku dhe ata pak pedagogë apo studentë që e mbështetën nuk kanë të drejtë.
Janë më të privilegjuar se shumëkush. Dikur qeveria Nano i ka dhënë 200 metra falas pa qira për të filluar aktivitetin e akademisë “Marubi”. Pikërisht ky “favor” u përdor për të thithur fonde të huaja e për të ngritur atë çka është sot “Marubi”. Njerëzit që i njohin procedurat, thonë se edhe kjo sipërfaqe e ofruar nga një qeveri socialiste (që duhet thënë se nuk kishin ndonjë sensibilitet më të madh as për artin as për arsimin), nuk mbështetet në asnjë ligj. Madje, po të dëgjosh argumentet e tyre prej burokratësh race, Kujtim Çashku rezulton thjesht një plaçkitës. E ka tetëfishuar këtë sipërfaqe në favor të tij. Nuk paguan qira për ato ambiente që ka në dispozicion, e këtu arrin kulmin ironia e zyrtarëve “politikisht korrektë”: pas gjithë këtyre, Kujtim Çashku do të zaptojë edhe oborrin që rrethon shkollën e tij.
Çdokush që do të lexonte paragrafin e mësipërm, do të ishte i gatshëm të pranonte madje edhe prangosjen e këtij grabitësi me petk artisti, njësoj si ata që shkaktuan Gërdecin, që rrëmbyen troje, apo që u marrin ryshfet qytetarëve.
E po t’i shtosh këtyre argumenteve ligjore edhe ato morale, bëhen vërtet shumë. Ata që thonë që Kujtim Çashku nuk ka të drejtë, flasin edhe në emër të barazisë. Po pse t’i bëhet favor Çashkut, kur këtë gjë mund ta kërkonin sa e sa kineastë të tjerë të nivelit të tij? Po pse t’i bëhet favor një shkolle të lartë si “Marubi” e mos t’i bëhet një gjë e tillë edhe të gjitha universiteteve të tjera private?
Po, është e vërtetë. Të gjitha këto qëndrojnë. Për të gjitha këto Kujtim Çashku nuk ka pasur të drejtë.
Të drejtë kanë të gjithë atë që e shohin në mënyrë burokratike e të ftohtë këtë ngjarje.
Por, në fakt ajo nuk është e tillë. Sepse ajo nuk mund të shihet vetëm nga ky këndvështrim nga çdo njeri që ka një lloj bonsensi dhe vizioni për t’i çuar gjërat përpara. Kujtim Çashku, energjik, aventurier, donkishotesk dhe i çartur, pati çmendurinë të fillonte një shkollë për filmin dhe mediet vizive në një vend ku dihet se në ç’gjendje kanë përfunduar këto të fundit. Me kokëkrisjen e tij, ai nuk tentoi të niste një biznes, megjithëse në letra figuron si i tillë. Të gjithë operatorët e arsimit privat në treg mund të dëshmojnë lehtësisht se me 30 studentë është pothuajse e pamundur të jetosh e jo më të përfitosh. Me ëndrrën e tij irracionale, ai tentoi të bënte një shkollë për të mbajtur gjallë atë pasion dhe atë zanat, të cilit i kishte kushtuar një pjesë të mirë të jetës së tij. Kush e ka vizituar akademinë “Marubi”, e di mirë se Kujtim Çashku ka transferuar aty edhe bibliotekën dhe orenditë e shtëpisë së tij. Se me marrëzinë e tij, ai donte t’i kthente muret e rrënuar të ish-Kinostudios, për pronësinë e së cilave ngrefosen sot shtetarët shqiptarë, në një shtëpi të artit.
Kush ka pasur të bëjë me “Marubin”, e ka pasur të lehtë të dallojë diferencën me pjesën tjetër, jo vetëm të ambientit të përgjithshëm, por edhe të ambientit tonë kulturor. Kush e ka vizituar apo e ka frekuentuar atë, e ka parë dhe prekur lehtë që ajo është një gjë ndryshe, një gjë e veçantë si të gjitha prodhimet dhe frytet që rrjedhin nga pasioni, çmenduria, ideali dhe donkishotizmi. E tillë është akademia “Marubi”. Por e keqja sot është se askush nuk po do ta masë me këtë metër. Ta shohë nga ky këndvështrim. Qeveria shqiptare as nuk po pyet për një dimension të tillë. Për të, Çashku dhe bashkëpunëtorët e tij janë thjesht shkelës të ligjit. Askush nuk ka ngritur një pyetje themelore: A është ky një model i mirë? A rrezaton kulturë? A prodhon artistë? A është një nismë për të mbajtur me shpirt në dhëmbë një flakëz arti të vërtetë në një ambient të mbytur nga banaliteti dhe komercializmi? Përpara se tek akademia “Marubi” të çoheshin policët, u duhej dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. E nëse përgjigjet për to ishin pozitive, zgjidhja do të ishte shumë më e lehtë. Kush e ka ndjekur historinë e kulturës dhe kinemasë në këto vitet e fundit, e mban mend mirë se sa polemikë dhe kundërshtime pati një ligj i parlamentit shqiptar për të financuar me fonde shtetërore ngritjen e një biznesi siç qe kinemaja e parë e rihapur pas një dekade në Tiranë. Edhe ajo qe një nismë private. Dukej absurde që shteti të ndërhynte. Por kjo ‘shkelje rregullash e barazie” solli ngritjen e një rrjeti kinemash në qytetet kryesore te vendit dhe kthimin e filmit te qytetarët. Pavarësisht se një shembull i tillë nuk është më ilustruesi për mënyrën se si rrodhën më pas ngjarjet, ai tregon se ligjet mund të bëhen dhe mënyrat mund të gjenden, nëse jemi të bindur për qëllimin.
Por, në rastin e akademisë “Marubi” askush nuk çau kokën, as për qëllimin, as për kulturën. As për atë që mund të arrihej, as për simbolin që rrezatonte një nismë si ajo e Çashkut. Aq më pak e çanë kokën për guximin, pasionin, qoftë dhe donkishotizmin apo çmendurinë e një njeriu që do të bëjë diçka më shumë se ajo çka i ofron realiteti.
Kujtim Çashkut nuk u munduan t’i ofrojnë zgjidhje, e trajtuan si gjithë shkelësit e rëndomtë të ligjit, duke i ofruar vetëm mënyrën burokratike të të parit të gjërave. Ai u përball, si shumëkush në historinë e këtij vendi, me ligësinë, brutalitetin e në rastin më të mirë moskokëçarjen, që bie mbi të gjithë ata që duan t’i çojnë gjërat përpara. T’i bëjnë ato më mirë.
Prandaj, kur çdo mëngjes kaloj përpara kopshtit tashmë të shkatërruar të akademisë “Marubi”, e kuptoj që Kujtim Çashku e ka pasur gabim. E kuptoj që e ka pasur gabim, kur dëgjoj një nga mbrojtësit e tij ligjorë të më ankohet se ai u bërtiste: “Jeni talebanë” atyre zyrtarëve të lartë, me të cilët shkonte të negocionte. E kuptoj që e kishte gabim, se kërkonte ta mbështesnin në ato zyra ku askush nuk fliste gjuhën e tij. E kuptoj që e kishte gabim, kur shoh se i kontrollojnë metrat katrorë të njëjtët njerëz që s’kontrolluan njëherë fëmijët që ç’montonin predha në fabrikën e vdekjes. E kuptoj që e kishte gabim, kur shoh se si shndërrohet në një çështje kombëtare oborri i një shkolle filmi nga të njëjtët njerëz që rrëmbejnë tokat e bregdetit.
E kuptoj që Kujtim Çashku nuk ka se si të ketë të drejtë, kur do që aventura dhe çmenduria e tij beninje, të miratohet nga ata njerëz që janë mësuar të vjedhin dhe të shkatërrojnë duke u mbështetur në ligj.