E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri, i mërzitur me Fatmir Mediun

Nga Antena brenda familjes

Flamuri ishte tërbuar dje me Fatmir Mediun. Kur mori vesh punën e Spitalit Ushtarak, i iku truri fare.

- Si është e mundur, - tha, - unë mjek dhe nuk bëj dot spital, Fatmir Mediu me Nazarin bëjnë spital? Ishte i tërbuar. Shkoi drejt e në zyrë të Ridvanit.

- Dua sqarime për këtë punën e spitalit, - tha. - Mirë të gjitha, po dhe zanatin tim do më vidhni?

- Po ç’zanat ke ti o ty mbylltë?! - i tha Ridvani. - Ti akoma s’ke marrë diplomën, ke 11 vjet. Ke gjet dhe degë për kancer pale, që të mos kesh faj që të vdesin pacientët.

- Ore, ç’degë kam zgjedh unë, është puna ime, po ky Nazari është kushëriri yt apo jo?

- Po është dhe imi, por s’kam lidhje me të. Fatmiri ma ka prezantuar në vitin 2000. Vajta në Amerikë unë, më tha: “Ikim një herë në Teksas, se kam një mik.” Shkuam o byrazer, kur na çojnë në klubet e tij. Katër klube striptizmi kishte. Dhe vetëm ai kishte licencë.

- I fortë qenke o byrazer, - i thashë. - Ku i gjete gjithë këto pará.

- Po ja o, me punë, - tha, - si gjithë të tjerët. Dhe i kam korruptuar nga pak këta amerikanët këtu. Pastaj këtë guvernatorin e mbaj me të mira.

Ishte Bushi atëherë atje guvernator.

Epo t’ëmën thashë, vjen ky nga Maqedonia dhe bën ligjin këtu.

- Nga je nga Maqedonia o byrazer? - i thashë.

- Nga Prespa, - tha.

- Po nga ç’fshat je andej, o?

Kur ma tha, u kujtova që kam një kushëri të nënës atje.

- Ore kam nënën nga filan fis, - i thashë, - kam ca kushërinj të saj atje.

- Po unë o jam, - tha Nazari.

Plasi gallatë e madhe.

- Ore mashtrues, - i thashë Fatmirit. - Po ti kushëririn tim rrjepke dhjetë vjet, o?

E gallatë, shkuam mirë atë natë. Pastaj s’kam pas më punë me të, se s’më lë Fatmiri ta takoj.

- Hë o byrazer, e nxore merakun tani ku e njoh. Ja kështu e njoh.

- Mirë o mirë, po si i dhatë atij spital dhe s’më dhatë mua?

- Po kush ia dha o byrazer, sikur ndamë licenca ne. Fatmiri deshi, Fatmirit ia dhamë. Ai ia dha Nazarit, se kishte hall, se bëhej zhurmë. Nazari autorizoi motrën e Fatmirit për akte noteriale, si Fazlliçi Argitën, dhe ja u bë. S’u mor vesh. Tani le të lehin sa të duan, e ka shitur ai. Aha, thotë ku të kam parë. E ka blerë boti tani.

- Po mirë mo, po unë jam doktor, si s’ma dhatë mua?

- Doktor është dhe ai burri, po as ai s’ka marrë gjë, - tha Ridvani. Madje ai është doktor zemre, e ka dhe spital të vetin nga zanati.

- Nuk e di, - tha Flamuri, - por jam mërzitur shumë. Me këtë që ka bërë Fatmiri, do ta shikojë ç’do t’i bëj për koalicionin. Të fundit do ta thërras. Do lidh marrëveshje dhe me Arian Starovën dhe me partinë çame, madje dhe me demokristianët e Nikollës, pastaj me atë.

- Mirë o byrazer, mirë, bëje, po mos u mërzit. Po do spitale, bëj, se s’të thotë njeri gjë. Po duhen leka. Fatmiri s’e bëri me letra, e bëri me leka. Epo duhen lekat. Se ka vojtur shumë Fatmiri me letra. Dhe tokën që bleu afër Rinasit, me letrat e këtyre amerikanëve e bleu. S’është kollaj të bësh letra byrazer, ashtu të duket ty. Ti s’di të shkruash një shkresë, jo të bësh letra.

- Ke për ta parë ti, - tha Flamuri, - ç’kam për t’i bërë. Letra s’di të bëj unë, po di të bëj punë të tjera. Ja, i them atij burrit dhe ia tregon ai qejfin.

- Rri o byrazer ç’të duhet, se mund ta hash ti, se jam nxituar disa herë unë kështu, duke menduar që s’di gjë ai. Kur më është kthyer ai, nëne, o nëne. Rri ç’të duhet.

- Po s’më rrihet o mixhë, mirë si Flamur që s’më respektojnë, por as si doktor nuk më respektojnë.

- Epo, ja të respektojnë si njeri të doktorit, ç’do më ti? - i tha Ridvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›