“Për ne, pronarët, ju po pengoni kthimin e pronave, po pengoni demokracinë e vërtetë dhe integrimin”
Letër pa zarf për z. Sali Berisha, kryeministër
Zoti Sali, nëse jeni malësor, që e njihni nderin dhe besën dhe mbani premtimet, fjalën e dhënë, betimin e bërë se “do zbatoni liritë dhe të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën”, mos veproni me pronarët siç keni vepruar deri tani. Që në 1991 keni premtuar demokraci dhe keni bërë pluralizëm komunist, anarki të pronës dhe korrupsion vertikal si në asnjë nga vendet ish-komuniste. Kompensimi në zonat turistike që keni hedhur në tregun mediatik është një flluskë sapuni dhe vetëm shtyrje kohe që vlen vetëm për t’i hedhur hi syve Departamentit amerikan të Shtetit për kapërcimin e kritikës që ju është bërë për problemin e pronës. Për hir të së vërtetës kjo kritikë e Departamentit të Shtetit është shumë sipërfaqësore. Ju dhe ne pronarët e dimë mirë se kjo formulë mashtruese e kompensimit në vend të kthimit fizik është analoge me trukun që është përdorur nga Skënder Gjinushi prej më se 10 vjetësh për t’i zgjatur jetën politikës së grabitjes së pronave. Ne, pronarët, kërkojmë që edhe ndërkombëtarët të fillojnë t’ju besojmë se keni ndryshuar, nëse përfundoni kthimin fizik të pronës tek i zoti sipas 12 pikave që ju kemi parashtruar para zgjedhjeve të qershorit. Ky proces kryhet menjëherë, nëse respektoni titujt e pronësisë, është detyrim kushtetues, nuk ka asnjë faturë financiare dhe hap rrugën për kompensim. Kompensimi, qoftë me pará, qoftë me prona në zonat turistike pa përfunduar kthimin fizik është i pamundur të realizohet. Kompensimi duhet të realizohet pas kthimit fizik me tokat dhe pronat, ku titulli i pronësisë i përket shtetit, i cili është pronar për 52% të sipërfaqes.
Mediet e datës 26 shkurt 2009 njoftuan se kryeministri Berisha ka deklaruar se është i hapur për konsultime me përfaqësuesit e ish-pronarëve për të lehtësuar ecurinë e procesit duke thënë: “ne na interesojnë mendimet e atyre që janë të gatshëm të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij procesi shumë të vështirë, të ndërlikuar e të rëndë dhe konsultimet me grupe interesi jo të politizuara, pasi ka prej tyre që bëjnë politikë më shumë se sa flasin për pronën”.
Sali Berisha, ju nuk duhet dhe nuk mund të shpreheni kështu, nëse keni lexuar vetëm 1/10 e kërkesave dhe peticioneve që ju ka dërguar shoqata jonë, shoqata “Bregdeti”, me mijëra ankesa e protesta që ju kanë ardhur nga pronarët e ligjshëm, me dhjetëra peticione nga intelektualë, nga të cilët po ju rikujtoj peticionin e firmosur nga kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Ylli Popa, dhe shumë akademikë, intelektualë dhe personalitete të shquara të artit e të shkencës, për të cilat ju jeni treguar indiferent. Ne, pronarët e ligjshëm, ju kemi kritikuar dhe do t’ju kritikojmë përsëri publikisht për pluralizmin tuaj komunist dhe qëndrimin tuaj antipronar. Ju vazhdoni të na quani “ish-pronarë” ose maksimumi “pronarët e vjetër” dhe përdorni termat “pronarë” dhe “pronarë të rinj” për këta politikanë kleptokratë që vodhën pasuritë e shtetit dhe pasuritë e pronarëve. Termi ish-pronar është pjellë diabolike e udhëzimeve të Katovicës. Faktet tregojnë qartë se ju jeni një mëkatar i madh, jeni intolerant ndaj të drejtës së pronës dhe titujve të pronësisë. Ne ua kemi thënë publikisht shumë herë se ky defekt i yti, veç aspektit tuaj personal e familjar është me pasoja të rënda, jo vetëm për pronarët, por për Shqipërinë, për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar. Juridikisht, ne jemi pronarët e ligjshëm që kemi humbur të drejtën e posedimit pas vitit 1945 për shkak të dhunës të vendosur nga sistemi sllavo-komunist që u vendos në Shqipëri. Ne nuk kemi humbur titujt e pronësisë as në kohën e diktaturës. Për këtë, ju lutem konsultohuni me Vendimet Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, si dhe me vendimet dhe arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me ftesën publike që bëni për ne që jemi pala e interesuar dhe pala e dëmtuar jemi të gatshëm të takohemi, qoftë në zyrë, qoftë në media. Ballafaqimin në media ne e kërkojmë edhe për kryetarin e opozitës z. Edi Rama, që edhe ai të korrigjojë rrugën e tij të gabuar dhe antikombëtare se pronat tona nuk duhet të lejohet të shfrytëzohen për fushatën elektorale të qershorit 2009. Grup interesi për problemin e pronave janë vetëm të shpronësuarit dhe të pranishëm duhet të jenë mediet dhe juristët me integritet profesional. Grup interesi për pronat tona të grabitura nga komunizmi pansllavist nuk mund të jenë zaptuesit e tokave tona dhe mafia e ndërtimeve pa leje në tokat e zaptuara. Prona tek i zoti është si ABC e demokracisë dhe jo politikë e majtë apo e djathtë. Siç jemi shprehur edhe më parë me shkrimet e shumta të publikuara në gazeta, kthimi i pronës ishte dhe është problem i thjeshtë, por paraqitet i vështirë nga politikanët kleptokratë. Zoti kryeministër! Demokracia dhe qytetarët deri sot vazhdojnë të vuajnë arbitraritetin tuaj që ka shkelur me të dyja këmbët të drejtat themelore të njeriut për respektimin e origjinës së pronës. Jeni ju që nuk keni pyetur as për detyrime kushtetuese dhe as për rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare. Le të shpresojmë se keni reflektuar. Lidhur me bashkëpunimin, ne ju kemi dhënë dhe, nëse keni kthyer mëndje, ju japin përsëri të gatshme zgjidhjen e plotë përfundimtare të problemit të pronës.
Ne ju përsërisim se ngërçi i pronës nuk zgjidhet me kompensim, por me reformën në procesin e kthimit fizik duke respektuar titujt e pronësisë, sipas kritereve: e blerë, e dhuruar, e trashëguar. Nuk dua të hedh baltë kot së koti mbi kryeministrin Berisha apo cilindo politikan, qoftë ai i djathtë apo i majtë, mjafton që ai të jetë i ndershëm e patriot. Por zhvillimet e fundit më detyrojnë të rikujtoj për zotin Berisha dhe Edi Rama se në Shqipëri ka elektorat të djathtë dhe elektorat të majtë. Partia Socialiste nuk është opozitë, kryetari socialist, Edi Rama, mbron Ligjin 7501, një ligj i zbatuar vetëm në më pak se 25% të vendit, ligj i amenduar mbi 20 herë, por që de fakto, jo vetëm që nuk respekton titujt e pronësisë, por favorizon greqizimin e Shqipërisë së jugut, dhe ky është një turp i madh për ju. Realiteti në këto 18 vjet tregoi se në Shqipërinë postkomuniste duke miratuar ligje që nuk respektojnë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar pronën e trashëguar, posti dhe pushteti të bën menjëherë të pasur. Partia Socialiste, ashtu si edhe Partia Demokratike janë transformuar në klane, ku secili synon pushtetin, pavarësisht se Shqipëria humbet identitetin. Kjo anarki e zhvillimeve demokratike korrigjohet, nëse nuk do ta pengoni ju dhe një grusht politikanësh. Demokracia fillon me respektimin e pronës. Janë pikërisht presidentët dhe kryeministrat e pasvitit 1991, z. Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, që me veprimet e gabuara dhe mosveprimet e tyre ndaj shkeljes së Kushtetutës, duke bllokuar institucionin, kanë dëmtuar vendin. Sot, jeni ju dy drejtuesit e politikës aktuale, z. Sali Berisha, zoti Edi Rama, që ju ftojmë të reflektoni para të tjerëve për dëmin e madh që i është shkaktuar popullit dhe demokracisë me qëndrimin antipronar dhe të kontribuoni konkretisht për të korrigjuar gabimet e pluralizmit komunist dhe anarkik që po shkatërron vendin në këto 18 vjet. Ne jemi të hapur dhe të gatshëm të japim zgjidhjen demokratike dhe përfundimtare.