E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Leskaj, kandidatura konsensuale e Topit për në KLSH

18/11/2011  Presidenti i Republikës dekreton emrin e ri për Kontrollin e Shtetit

Presidenti Bamir Topi ka hedhur në tregun politik emrin e Bujar Leskajt si kandidaturë për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ish-deputeti i PD-së, i cili kandidoi dhe në zgjedhjet e kaluara në qarkun e Vlorës, duket se është parë si kandidaturë konsesuale nga ana e Presidentit. Bujar Leskaj njihet dhe për simpatinë që gëzon te kryeministri, por edhe brenda radhëve të deputetëve të mazhorancës. “Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i ndryshuar, z. Bujar Leskaj i propozohet Kuvendit për t’u zgjedhur kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, - thuhet në dekretin e Presidentit.

Dyzimi i PD-së

Ndërkohë burime brenda PD-së thanë dje për “Metropol” se ende nuk është marrë asnjë vendim se çdo të bëhet me kandidaturën e Leskajt dhe të hënën presin udhëzimet. Por të njëjtat burime thanë se në ndryshim me Shehun kandidatura e Leskajt i ka të gjitha shanset të marrë miratimin e saj. Nga ana tjetër, duket se dhe kryeministri është dakord në parim me emrin e ish-ministrit të tij të Kulturës në mandatin e parë qeverisës menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005. Gjithsesi, mbetet ende për t’u parë reagimi i mazhorancës në ditët në vijim, por në ndryshim me kandidaturën e mëparshme këtë herë Partia Demokratike është treguar më e rezervuar në deklarata, çka tregon se emri i Leskajt ka një lloj konsensusi mes deputetëve për ish-kolegun e tyre, por dhe për kupolën e selisë blu. Megjithëse kërkon shumicë të thjeshtë votash, duket se kandidatura e Leskajt nuk do të kundërshtohet fort as nga opozita. Dhe kjo jo sepse ai vjen nga Presidenti Topi, por sepse PD-ja dhe PS-ja kanë bërë tashmë një lloj kompromisi mes tyre. Zgjedhja e Avokatit të Popullit iu la në dorë nga ana e mazhorancës PS-së, ndërkohë që kandidatura e Leskajt vjen nga Presidenti i Republikës, pavarësisht se deri më 2009-n ka qenë deputet i Partisë Demokratike.

Aktiviteti

Leskaj është anëtar aktiv i Partisë Demokratike që prej vitit 1997, ndërkohë që mbahet mend fitorja e tij në një zonë të vështirë si ajo e Vlorës në zgjedhjet e vitit 2005. Për sa kohë ishte ministër i Kulturës dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë mbahet mend për deklaratat e tij të forta, sidomos në mbrojtje të shtresës së ish-të përndjekurve, klasë nga e cila rrjedh dhe vetë. Së fundi ka botuar një sërë shkrimesh në shtypin e shkruar jo vetëm në fushën e ekonomisë, ku është dhe lektor në Fakultetin e Ekonomisë, por edhe të biografisë historike, kryesisht të nacionalistëve shqiptarë, siç është “Muza e qëndresës”, botuar së fundi. Gjithsesi, mbetet ende për t’u parë reagimi i mazhorancës në lidhje me kandidaturën e Leskajt, por ajo çka vlen të përmendet është fakti se për kandidaturën e këtij të fundit arsyet për ta kundërshtuar nga ana e PD-së janë shumë herë më të pakta se për kandidaturën e Shehut, i cili, megjithëse ishte anëtar i hershëm i saj, sërish nuk plotësonte kriterin profesional për postin e kreut të KLSH-së.

Sali Shehu rrëzohet nga maxhoranca

PD: Nuk ka përgatitjen e duhur profesionale për këtë institucion

Vetëm dy javë më parë mazhoranca do të rrëzonte kandidaturën e Sali Shehut, edhe ky i propozuar nga Presidenti Topi. Në seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë demokratët kanë shprehur shqetësimin mbi profesionin dhe eksperiencën e Shehut, duke nënvizuar se ai nuk ka eksperiencën e duhur. Deputetët e PD-së në këtë komision dhanë 11 vota kundër kandidaturës, ndërsa socialistët braktisin votimin, duke mos u marrë as pjesë në debat. Nuk pritej ndonjë surprizë në këtë drejtim, pasi një ditë më parë kryeministri Berisha ishte shprehur qartë se Shehu nuk ishte personi i duhur për në KLSH dhe se ai ishte një kandidaturë politike. Midis të tjerash ai tha se institucioni i KLSH-së duhet të jetë i pavarur. “KLSH-ja duhet të jetë i pavarur nga qeveria dhe roli i saj është të rrisë rolin auditues dhe të dërgojë shkelësit para drejtësisë”, - tha Shehu para deputetëve. Pas përfundimit të seancës dëgjimore komisioni harton një raport për kandidaturën dhe më pas dërgohet në Kuvend për t’u miratuar në seancë. Historikisht vendimi i marrë nga deputetët në komisione nuk ndryshon me vendimin që merret në Kuvend. Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar (2005-2009) dhe në Kuvend mori 73 vota kundër, kryesisht nga ish-kolegët e tij demokratë.

Kush është kandidatura e re e Presidentit

Bujar Leskaj

Titulli: “Doktor i shkencave ekonomike”

UT, Fakulteti Gjeologji-Miniera, 1990; inxhinier nafte

UT, Fakulteti i Ekonomisë, dega financë, 1998; ekonomist

UT, Fakulteti i Drejtësisë, 2002; jurist

Universiteti i Nebraskës - Linkoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit

(Diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në administrim publik), shkurt-qershor 2003.

UT, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, titulli “Avokat”, 2004

Veprimtaria profesionale:

1993-1994: doganier në degën e doganës Vlorë;

1994-1997: kryetar i degës së doganës Vlorë;

1997 (prill-gusht): nëndrejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

2000-2005, pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, lektor i lëndës;

“Paraja dhe banka”

2005–2009, pedagog i jashtëm në UT, Fakulteti i Ekonomisë;

Tetor 2009 e në vazhdim pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë;

Lektor i lëndëve “Paraja dhe banka”, “Financë”.

Veprimtaria politike

1997 (janar): anëtar aktiv i PD-së;

2001-2005: anëtar i bordit financiar të PD-së;

2001 e në vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së zgjedhur nga kuvendi i 7-të, i 8-të

(2005) dhe i 9-të (2009) Kombëtar të partisë;

2005 - 2009: deputet i Kuvendit te Shqipërisë;

shtator 2005-mars 2007: ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit;

2007 – 2009: anëtar i delegacionit të përhershëm të kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Botimet

1. "Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009", Tiranë 2009.

2. "Brenda dhe jashtë PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)", Tiranë 2009.

3. "Senjorazhi”, punim doktorature, Tiranë 2009.

4. “Paraja dhe banka” (cikël leksionesh), Tiranë 2011.

5. “Leksione në financë” (pjesa I), Tiranë 2011.

6. “Muzat e qëndresës (Nëpër libra të kryqëzuar)”, Tiranë 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›