E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekreti i Topit, Malaj e Blushi kundër Ramës

18/11/2011  Fullani sërish guvernator i BSH-së pas marrjes së votëbesimit në Kuvend

Në seancën e djeshme plenare Kuvendi miratoi edhe dekretin e Presidentit Topi për riemërimin e Ardian Fullanit në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Dekreti i Presidentit u miratua me 75 vota pro, 51 kundër dhe 1 abstenim. Opozita ishte shprehur edhe më parë kundër kësaj kandidature, por në radhët e saj pati rrjedhje votash. Kështu, votave të mazhorancës iu shtuan dhe ato të socialistëve Arben Malaj dhe Ben Blushi. Dy deputetët u shprehën sërish dje kundër qëndrimit të socialistëve për të mos votuar Fullanin, një qëndrim ky i shprehur nga vetë kryetari i tyre Rama. Por në votimin e djeshëm një qëndrim asnjanës për propozimin e kreut të shtetit ishte dhe ai i deputetit Kastriot Islamit, i cili e abstenoi kandidaturën e Fullanit. Nga ana e saj mazhoranca e kishte deklaruar publikisht se e vlerëson punën e Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë. Ardian Fullani ishte një ndër tre emrat që kryeministri Berisha propozoi si anëtar për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë mandat, kandidatura e të cilit u miratua nga Kuvendi dy javë më parë. Edhe pse miratimi i dekretit të Presidentit kërkonte një shumicë të thjeshtë prej 71 votash në Kuvend, rrjedhja e votave nga e majta është një tregues i krizës brenda saj. Edhe në të kaluarën Blushi e Malaj janë shprehur kritikë ndaj qëndrimeve politike të kreut të PS-së Edi Rama. Duke kërkuar që të maksimalizonin përgjegjësitë brenda të majtës, Malaj e Blushi së bashku me kolegët Kastriot Islami dhe Andis Harasani krijuan lëvizjen e mendimit ndryshe. Deputetët e LMN-së kanë qenë kundër bojkotit parlamentar të Partisë Socialiste, ku kanë kërkuar me forcë që t’i jepet fund bojkotit, duke paralajmëruar krizën e thellë politike në vend.

Guvernatori

Presidenti Bamir Topi dekretoi një javë më parë Ardian Fullanin për një mandat të dytë në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ndryshe nga dekreti i tij për kreun e KLSH-së, i cili u rrëzua nga deputetët e Kuvendit, kandidatura e Fullanit, ashtu siç pritej, mori miratimin nga mazhoranca në seancën e djeshme parlamentare. Ardian Fullani ka një diplomë në financë dhe një në drejtësi. Në vitin 1992 ai ka qenë zëvendësguvernator i Bankës së Shqipërisë e në vijim drejtor i Departamentit të Jashtëm. Fullani ka punuar edhe në Bankën Italo-Shqiptare si dhe ka qene president i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Më 28 tetor të vitit 2004 ai u zgjodh për herë të parë guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Rama për Fullanin

Në reagimin e tij mbi dekretin e Presidentit Topi për propozimin e kandidaturës së Ardian Fullanit për të dytin mandat në krye të Bankës së Shqipërisë shefi i opozitës tri ditë më parë u shpreh se në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk ishte vetëm kandidatura e gabuar, por kandidatura më e gabuar. “Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë”, - do të theksonte Rama nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke paralajmëruar dhe votën kundër të opozitës në Kuvend për këtë kandidaturë. “Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature”, - është shprehur Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›