E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Meta i mirëpritur. Nano e Berisha kapitull i mbyllur

18/11/2011  “Kurbani”, kreu i PS-së sqaron pozicionin e tij përballë figurave kryesore të politikës

Në përforcim të rrëfimeve në librin “Kurban”, kreu socialist Edi Rama risqaroi pozicionin e tij përballë tre figurave të politikës shqiptare. Kështu, nëse për dy prej këtyre figurave, konkretisht të Kryeministrit, Sali Berisha dhe paraardhësit të tij, ish-kryetarit Fatos Nano, kreu Rama kërkoi të ruajë po të njëjtën gjuhë më të cilën është shprehur në librin e tij, e kundërta ndodhi me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Madje, përkundrejt kësaj figure, duke qenë sa më i qartë për atë çfarë ai ka synuar të shprehë në rrëfimin e tij, Rama risqaroi me zë atë çfarë ka shkruar në “Kurban”. Në vlerësimin e Ramës, për kreun Meta, mund të ketë një shans të dytë për bashkëpunim mes tyre, gjë e cila nuk mund të ndodhë me dy figurat e tjera, e sidomos me Kryeministrin Berisha, ku gjuha e përshkrimit të kësaj figure më së shumti ngulmon në përçimin e një imazhi të keq për publikun. “Ka një problem kur shkruan ashtu siç shkruaj unë, pasi jam dashnor obsesiv i gjuhës shqipe i jap rëndësi çdo fjale apo presje. Megjithatë, mendoj se nuk kam demonizuar asnjë. Rreth zotit Meta nuk mendoj se kam lënë një derë të hapur, por mendoj se për këdo në një moshë të caktuar, jo në moshën e pashpresë të Saliut, ka një shans të dytë”, vlerësoi Rama, gjatë intervistës së tij, gjatë intervistës në “Top Story”. Ndërkohë duke u ndalur në dy figurat e tjera, Rama shtoi se “kam folur për Nanon, të cilin e kam portretizuar me dritë dhe hije, jo vetëm në një formë të caktuar. Kur diskutohet për një libër dhe ti je autori është e dhimbshme kur për efekt komunikimi, vulgarizohet ajo që ke thënë. Nuk kam shkruar që Nano është i zhytur në vese. Kam shkruar më shumë me tepër nuanca e thellësi. Sa për Saliun, nuk ka dyshime, është një njeri vulgar dhe një personazh tërësisht jashtë kohe, që fatkeqësisht mban peng kohën shqiptare”. Gjithashtu, duke hedhur poshtë çdo pretendim për prezencën e një asimetrie në faqet e librit, Rama risolli në kujtesë përmbledhtazi mesazhin që përcjell ai përmes këtij rrëfimi. “Nuk jam përpjekur ta kursej veten time lidhur më atë çfarë nuk është bërë si duhet. Jam munduar të çmontoj më fakte, shifra atë mitologji të ngritur mbi atë të ashtuquajturën mafie e lejeve të ndërtimit. Jam përpjekur të flas për një Shqipëri që ka humbur shumë kohë, atë se çka ka ndodhur siç nuk duhej të ndodhte në Shqipëri, shpartallimin organik i saj, i cili lidhet sa me gjëra siç duhet, aq me atë që është një problem shumë i madh, pasi ka asimetri, por ajo është mes botës që thotë se ndërtimet pa leje janë mrekulli, që është bota e Saliut, që thotë se janë bërë kaq rrugë e aq rrugë, që nuk janë brenda atyre standardeve ku në duam të shkojmë, me përjashtim të rrugës së kombit, dhe botës që mendon se këto rrugë nuk janë të botës ku ne duhet të integrimi”, vuri në dukje Rama, gjatë fjalës së tij.

Rama: Perceptimi i sotëm për politikën, preferoj të mos jem politikan

Në sqarimet e tij mbi rrëfimet për ngjarje, episode, figura, në “Kurban”, kreu Rama nuk harroi të japë dhe një mesazh mbi mënyrën se si ai e koncepton politikën, dhe këtë të vendosur përballë asaj së çfarë nënkuptohet sot me të. “Ky jam unë pas rrugëtimit që më ka sjellë gjer këtu, këto arsyet pse jemi në këto pozicione. Por dua të theksoj se nëse të jesh politikan do të thotë që të bësh pazare të pista, të pranosh që qëllimi justifikon çdo mjet, pavarësisht sesi, por mjaft që të arrihet fitorja, unë jo vetë që nuk jam politikan po as dua të jem. Ajo është fisnike, politika është e lidhur me një përmbajtje shumë më fisnike”, nënvizoi Rama, sa i takon një çështje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›