Bujar Nishani: Prokuroria, pengesa kryesore në luftën kundër krimit

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani akuzon drejtimin e kryeprokurores Ina Rama, si shkakun kryesor për uljen e performancës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
“Prokuroria është pengesa kryesore e institucioneve të ligjit në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit”. Kështu u shpreh sot ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i cili deklaroi se organi i akuzës po pengon hetimet e institucioneve të ligjit. Sipas ministrit Nishani, puna e Prokurorisë së Përgjithshme, është bërë pengesë në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Duke sqaruar punën e qeverisë në raport me detyrimet e vendosura nga Brukseli për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ka deklaruar haptazi se është i pakënaqur nga puna e strukturave të hetimit. “Për hir të vërtetës ne si Ministri e Brendshme, por edhe struktura e Drejtorisë së Policisë jemi të pakënaqur nga puna, performanca dhe rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit, për sa i përket luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Nuk mund të themi se nuk ka korrupsion dhe krim ekonomik në vend, por siç thashë, rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit nuk janë ato që priten”- u shpreh ministri Nishani. Lufta ndaj këtyre fenomeneve sqaroi Nishani është prioritet i Ministrisë së Brendshme, si detyrim edhe në përmbushje të kërkesave të Bashkimit Europian para dhe pas liberalizimit të vizave. Sipas ministrit Nishani, shembulli pozitiv i taske-forcave të përbashkëta duhet të shtrihen edhe jashtë kuadrit të tyre. Prokuroria e Përgjithshme ka qenë gjithnjë në qendër të kritikave të politikës dhe veçanërisht të mazhorancës, për mungesë efiçence në hetimin dhe parandalimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit. Sipas mazhorancës, përgjegjësja kryesore për rezultatet e dobëta në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, është vetë organi i akuzës. Por, për ta bërë sa më shumë të besueshme dhe konkrete akuzën e mazhorancës ndaj Prokurorisë, vlen të sjellin në vëmendje akuzat e Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, u shpreh pak ditë më parë se Prokuroria nuk është bashkëpunuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Edhe në raportin vjetor të depozituar në Kuvend, Llalla bën publike përplasjet dhe mos bashkëpunimin me organin e akuzës në lidhje me kallëzimet e bëra ndaj zyrtarëve për fshehje të pasurisë apo dhe rastet e korrupsionit, të cilat janë kallëzuar në organin e akuzës, por ky i fundit s’ka luajtur as dosjen më modeste, për të mos thënë se ka mbyllur çështjet në mënyrë të pakuptimtë, duke injoruar punën e institucioneve të ligjit, ndërsa nga ana tjetër i ka dhënë “jetë” krimit ekonomik dhe korrupsionit. Por, po ashtu Prokuroria është treguar e paaftë si dhe “frikacake”, për rastet kur bëhet fjalë për të hetuar zyrtarë të rangjeve të larta në administratë. Gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë është gjendur përballë një situate jo të favorshme për realizimin e qëllimit të punës së tij. ILDKP ka vënë re se, organi i Prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashëm, pavarësisht se nga ana formale, procedura e hetimit administrativ dhe vërtetimi me prova shkresore është i njëjtë për të gjithë rastet. ILDKP konstaton se për zyrtarë, kryesisht lokalë, Prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve për gjykim. Ndërkaq, nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Bujar Nishani bëri të ditur se dikasteri që ai drejton, vijon po me aq intensitet fushatën e informimit ndaj qytetarëve për rregullat që duhet të respektojnë për udhëtimet në zonën e lëvizjes së lirë “Schengen”. Sipas tij, shqiptarët kanë treguar një qytetari të theksuar, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, duke mos evidentuar asnjë rast të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian.